Sistemet e duhura të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtët, stuhitë ose fatkeqësitë e tjera mundësojnë planifikimin për të minimizuar ndikimet negative.     Foto: AA

Përkundër shtimit të katastrofave klimatike, gjysma e shteteve nuk kanë një sistem të avancuar të paralajmërimit të hershëm, të nevojshëm për shpëtimin e jetëve. Raporti i Kombeve të Bashkuara i publikuar këtë të enjte thotë se shtetet me sistem të dobët të paralajmërimit të hershëm kanë vdekshmëri 8 herë më të lartë nga katastrofat natyrore krahasuar me vendet me masa të forta.
Sistemet e duhura të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtët, stuhitë ose fatkeqësitë e tjera mundësojnë planifikimin për të minimizuar ndikimet negative.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Uljes së Rrezikut nga Katastrofat, theksoi se paralajmërimi i hershëm për katastrofat natyrore duhet të ketë mbulim global.
“Njerëzve u duhet paralajmërim adekuat për t’u përgatitur për kushte ekstreme të motit. Prandaj, po bëj thirrje për paralajmërim të hershëm universal në 5 vitet e ardhshme”, tha Guterres.
Guterres shtoi se moti ekstrem nuk mund të parandalohet, por shtetet dhe organizatat ndërkombëtare duhet të përkujdesen që të zbusin sa më shumë pasojat nga katastrofat natyrore.
“Moti ekstrem do të vazhdojë të ndodhë, por nuk duhet të kthehen në katastrofa vdekjeprurëse”, theksoi Guterres.
Rajonet e varfra, shpesh më të prekurat nga katastrofat natyrore, janë më pak të pajisura për përballje me situata të tilla.
Jetë të humbura dhe qindra miliarda në dëme gjatë 2021
Sipas Kombeve të Bashkuara, vetëm në vitin 2021 kanë ndodhur 432 katastrofa natyrore në mbarë botën. Dëmet ekonomike llogariten diku rreth 252 miliardë dollarë.
Vërshimet janë lloji më i shpeshtë i katastrofave natyrore dhe përbëjnë rreth 44% të tyre.
Shpërngulja për shkak të katastrofave natyrore është 3 herë më e lartë se sa shpërngulja si pasojë e luftës.

TRT Balkan