Komisari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, tha se sulmet e Izraelit në Liban kanë zhvendosur mijëra njerëz dhe se Lindja e Mesme nuk mund të përballojë një krizë të re zhvendosjeje.
Në deklaratën me shkrim nga Komisari i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR), thuhet se sulmet ajrore të Izraelit që vazhdojnë kundër Libanit kanë shkatërruar jetën e civilëve dhe se familjet libaneze dhe siriane janë larguar nga Libani në Siri të dëshpëruara.
Më tej, thuhet se UNHCR-ja ka shtuar mbështetjen e saj për numrin në rritje të personave të zhvendosur dhe se qindra automjete po presin në kufirin sirian. Libani pret rreth 1,5 milionë sirianë si dhe më shumë se 11 mijë refugjatë nga vende të tjera.
Grandi, pikëpamjet e të cilit janë përfshirë në deklaratë tha se "Kjo masakër shkakton çmim të tmerrshëm, zhvendos dhjetëra mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre". Ai thekson vuajtjet e familjeve që më parë janë larguar nga lufta në Siri dhe që bombardohen në vendin ku janë strehuar. Grandi thotë se këto skena dëshpërimi dhe shkatërrimi nuk duhet të përsëriten.
"Lindja e Mesme nuk mund të përballojë një krizë të re zhvendosjeje. Të mos krijojmë një krizë duke detyruar më shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Prioriteti duhet të jetë mbrojtja e jetëve të civilëve", tha Grandi.
Izraeli ka vrarë 577 njerëz në Liban
Ushtria izraelite që nga orët e mëngjesit të 23 shtatorit ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, 577 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore në rritje të Izraelit në vend që nga 23 shtatori.
Ministri libanez i Punëve të Jashtme dhe Emigracionit, Abdallah Bou Habib deklaroi se numri i personave të zhvendosur brenda vendit për shkak të sulmeve izraelite po afrohet në 500 mijë. Ndërkohë vazhdon vala e migrimit nga rajonet jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe rajoneve veriore.