OKB-ja: Mbi 14 milionë njerëz janë zhvendosur në Sudan / Photo: Reuters

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha të martën se më shumë se 14 milionë njerëz, përfshirë të zhvendosurit brenda vendit dhe ata që kaluan kufijtë, janë në lëvizje në Sudanin e shkatërruar nga konflikti.

Njëmbëdhjetë milionë janë të zhvendosur brenda vendit, ndërsa 3,1 milionë që kanë kaluar kufijtë, tha drejtoresha e përgjithshme Amy Pope në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

"Pra, në të vërtetë janë mbi 14 milionë njerëz që janë në lëvizje tani," tha ajo.

Pope shtoi se rreth 200.000 njerëz janë larguar vetëm nga shtatori. Ajo vuri në dukje se numri i përgjithshëm, 14 milionë, përfshin "njerëzit që ishin zhvendosur përpara" konfliktit që filloi prillin e kaluar midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF).

Shefi i të drejtave të OKB-së 'jashtëzakonisht i shqetësuar' nga përshkallëzimi i armiqësive dhe dhunës në shtetin

Al-Jazirah Zëdhënësi i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut tha në konferencë se shefi i zyrës, Volker Turk, është "jashtëzakonisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i armiqësive dhe dhunës në shtetin Al-Jazirah të Sudanit, të cilat po përkeqësojnë më tej rrezikun e sulmeve kundër civilëve, dhunën e motivuar etnikisht, dhe krimet mizore.”

Që nga dezertimi i Abu Aqla Keikel më 20 tetor, komandant i RSF-së në ushtrinë sudaneze, sulmet nga RSF-ja në fshatrat në shtetin Al-Jazirah janë shtuar, me sa duket si hakmarrje për dezertimin e tij dhe duke synuar anëtarët e grupit të tij etnik tha Seif Magango.

Magango tha se të paktën 124 njerëz u vranë të premten në një sulm nga forcat tokësore të RSF-së në fshatin Al-Seriha, me video të pakonfirmuara që tregojnë dhjetëra trupa të rreshtuar për varrim. Ky incident pason të paktën dy sulme të tjera nga forcat tokësore të RSF-së në qytetet e afërta të Tamboul dhe Rufaa më herët gjatë javës, tha ai.

Raportet sugjerojnë se qindra njerëz u vranë në Tamboul mes plaçkitjeve të përhapura, tha ai, duke shtuar se të paktën 25 raste të dhunës seksuale u raportuan në disa fshatra në lokalitetin Sharq Al-Jazira, duke përfshirë tre personel mjekësor dhe një vajzë 11-vjeçare, e cila si pasojë, edhe vdiq.

Gjithashtu, thuhet se janë rrëmbyer gra dhe vajza.

Ai përmendi gjithashtu raportet se, RSF-ja ka arrestuar dhe keqtrajtuar civilë nga fshatrat e synuara dhe ka konfiskuar pajisjet e internetit dhe telefonat në rreth 30 fshatra, duke ndërprerë kanalet jetike të komunikimit, duke i quajtur ato "shqetësuese".

Duke theksuar se ka gjithashtu raporte për të korrat e djegura, ai tha:

"Në një kohë kur mbi 25 milionë sudanezë po përballen me pasiguri akute ushqimore për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, shkatërrimi i të korrave në një rajon që konsiderohet shporta e bukës së vendit mund të përkeqësojë një gjendje tashmë katastrofike”.

"Si rezultat i dhunës, mijëra familje thuhet se janë zhvendosur nga shteti Al-Jazirah në shtetet fqinje të Gedaref dhe Kassala, duke shtuar krizën tashmë të tmerrshme të zhvendosjes në vend," tha ai.

Zyra shprehu gjithashtu shqetësim lidhur me thirrjet në rritje për mobilizimin e civilëve në shtetin Al-Jazirah dhe raportet për gjuhën e urrejtjes që qarkullojnë në mediat sociale. "Udhëheqësit e të dyja palëve duhet të marrin menjëherë të gjitha masat për ta depërshkallëzuar situatën," tha zëdhënësi.

AA