OKB-ja: Mbi gjysmë milioni palestinezë janë kthyer në Gazën veriore                              Foto: AA

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka raportuar se “më shumë se 565 mijë njerëz kanë kaluar nga jugu në veri të Gazës që nga 27 janari”.

Duke cituar Zyrën e Koordinimit të Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric, gjatë një konference për media gjithashtu raportoi se “më shumë se 45 mijë njerëz janë vëzhguar duke lëvizur nga veriu në jug” të Rripit të Gazës.

Dujarric theksoi se OKB-ja dhe partnerët e saj në terren “po punojnë për të zbutur ndikimin e shkatërrimit të gjerë të infrastrukturës kritike të ujit, kanalizimeve dhe higjienës që ka ndodhur në të gjithë Rripin e Gazës”.

I pyetur në lidhje me urdhrin ekzekutiv kërcënues të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe për të bllokuar fondet për agjencinë e ndihmës së OKB-së për Gazën (UNRWA), Dujarric tha se “padyshim do të vështrohet çfarë po nënshkruhet”.

“Por, ShBA-ja do të marrë vendimin që do të marrë. Kjo nuk ndryshon qëndrimin tonë mbi rëndësinë e Këshillit të të Drejtave të Njeriut”, tha ai.

Duke e përshkruar urdhrin ekzekutiv si “diçka që është shumë e re”, Dujarric afirmoi se vendimi nuk do të ndryshojë “angazhimin e OKB-së për të mbështetur UNRWA-në në punën e saj, si dhe në atë për ofrimin e shërbimeve kritike për palestinezët nën juridiksionin dhe mandatin e saj”.

Financimi i SHBA-së për UNRWA-në u pezullua në vitin 2024 nën administratën e ish-presidentit Joe Biden pasi Izraeli akuzoi 12 nga mijëra punonjës të UNRWA-së në Gaza se ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit 2023.

Mes një hetimi të pretendimeve, të paktën 16 vende, përfshirë SHBA-në, ndaluan ose pezulluan fondet për agjencinë dhe punën e saj të ndihmës për popullsinë e goditur nga uria e Gazës. Por, shumica e donatorëve kryesor riflluan ndihmën pasi një rishikim i pavarur i UNRWA-së zbuloi se Izraeli nuk kishte ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.

UNRWA-ja u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbi 70 vjet më parë për të ndihmuar palestinezët që u zhvendosën me forcë nga toka e tyre.

Izraeli e kishte urdhëruar UNRWA-në që deri të enjten e kaluar të mbyllë të gjitha operacionet në Kudsin Lindor, në përputhje me një direktivë të komunikuar më 24 janar në një letër nga përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Danny Danon, deri te sekretari i OKB-së, Antonio Guterres.

Pas urdhrit, UNRWA-ja evakuoi selinë e saj në Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor, ku kishte funksionuar që nga viti 1951, si dhe në një klinikë në Qytetin e Vjetër dhe në shkolla të shumta, duke përfshirë një qendër trajnimi profesionale.

Masa erdhi në mes të tensioneve në rritje midis Izraelit dhe organizatave ndërkombëtare, pasi organe të shumta të OKB-së vazhdojnë të ngrenë shqetësime për përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

TRT Balkan / agjencitë