OKB-ja: Mbi një milion njerëz janë zhvendosur në Haiti nga dhuna e bandave.            Foto: AA

Sipas të dhënave të fundit nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur në Haiti për shkak të përshkallëzimit të dhunës së bandave, me shumë prej të tyre të detyruar të shpërngulen disa herë. Zhvendosja është trefishuar brenda një viti, duke u rritur nga 315 mijë në dhjetor të vitit 2023 në më shumë se një milion tani.

Sipas të dhënave të IOM-it, gjysma e të zhvendosurve janë fëmijë.

Drejtoresha e përgjithshme e IOM-it, Amy P​​​​​​​ope, theksoi nevojën urgjente për siguri dhe ndihmë.

“Haiti ka nevojë për ndihmë të qëndrueshme humanitare tani për të shpëtuar dhe mbrojtur jetë”, tha Pope.

Shumica e të zhvendosurve vijnë nga zona metropolitane të kryeqytetit Port-au-Prince. Shumë njerëz kërkojnë strehim në provincat e Haitit, duke ushtrua presion mbi komunitetet lokale dhe duke shteruar burimet tashmë të pakta.

Vendet e zhvendosjes në kryeqytet janë rritur nga 73 në 108 në një vit, sipas IOM-it, me mbipopullim dhe qasje të kufizuar në shërbimet bazë si ushqimi, uji, kanalizimet dhe arsimi.

Zhvendosja në departamentin Atribonite po ashtu u trefishua në vitin 2024, duke prekur mbi 84 mijë njerëz.

“Ne duhet të punojmë së bashku për të adresuar shkaqet rrënjësore të dhunës dhe paqëndrueshmërisë që ka çuar në kaq shumë vdekje dhe shkatërrime’, tha Pope.

Dhuna e bandave ishte përgjegjëse për vdekjen e mbi 5.600 personave në vitin 2024, ndërsa bandat kontrollojnë më shumë se 80 për qind të kryeqytetit.

Duke luftuar prej vitesh me çështje themelore si krizat politike, ekonomike dhe të sigurisë, Haiti me një popullsi mbi 11 milionë banorësh, po ashtu përballet me kërcënimin e urisë.

TRT Balkan / agjencitë