Kombet e Bashkuara (OKB) mirëpritën të enjten zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Etiopisë dhe Somalisë me ndërmjetësimin e Türkiyes.
"Ne mirëpresim ngrohtësisht shpalljen e Deklaratës së Ankarasë midis Etiopisë dhe Somalisë nën udhëheqjen e Türkiyes," tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric gjatë një konference për shtyp.
Duke e përshkruar atë si një "lëvizje pozitive" në frymën e "miqësisë" dhe "respektit të ndërsjellë", Dujarric tha: "Ne presim me padurim fillimin e negociatave teknike në atë front dhe shpresojmë shumë për një rezultat plotësisht pozitiv".
Ai shtoi se OKB-ja shpreh mirënjohjen e saj për përpjekjet e Türkiyes për t'i bashkuar këto dy vende dhe për mbështetjen e zbatimit të marrëveshjes.
Dujarric përcolli gatishmërinë e OKB-së për të "ndihmuar dhe mbështetur në çdo mënyrë" dhe vuri në dukje se "dallimet e thella dhe serioze" mund të zgjidhen përmes dialogut, por kjo kërkon "vullnet politik".
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan priti të mërkurën në Ankara homologun e tij somalez Hassan Sheikh Mohamud dhe kryeministrin etiopian Abiya Ahmed, pas së cilës të tre liderët lëshuan një deklaratë nga Ankaraja.
Dy shtetet e Afrikës Lindore kanë qenë në mosmarrëveshje që kur Etiopia arriti një marrëveshje me rajonin Somaliland të Somalisë më 1 janar të këtij viti për të përdorur portin Berbera në Detin e Kuq. Turkiye punoi për t'u dhënë fund tensioneve midis dy vendeve.