OKB-ja: Në veri të Gazës asnjë ndihmë për më shumë se 40 ditë / Photo: AA

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha se për shkak të pengesave të Izraelit pothuajse asnjë ndihmë nuk është dërguar për më shumë se 40 ditë për palestinezët që luftojnë për të mbijetuar në veri të Gazës.

Në konferencën e përditshme për media, Dujarric tha se kalimi në pjesën veriore të Gazës pengohet nga ushtarët izraelitë. Ai theksoi se banorët e rajonit nuk kanë marrë pothuajse asnjë ndihmë për më shumë se 40 ditë dhe se situata humanitare është e rëndë veçanërisht në disa rajone.

"Njerëzit po luftojnë për të mbijetuar në zonat e rrethuara në veri të Gazës", tha Dujarric, duke iu referuar informacioneve të dhëna nga Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Sipas tij, ushtria izraelite vazhdon të pengojë ndihmën për zona të tilla si Beit Hanoun, Beit Lahia dhe Jabalia. Dujarric tha se 27 nga 31 përpjekjet për ndihmë të planifikuara vetëm këtë muaj u refuzuan, ndërsa 4 të tjerat u ngadalësuan seriozisht.

"Sinqerisht, të gjitha përpjekjet e OKB-së për t'i mbështetur njerëzit në zonat e rrethuara në veri të Gazës janë refuzuar ose bllokuar", potencoi Dujarric.

Ai tërhoqi vëmendjen për urinë që do të përjetohet në rajonin ku të gjitha furrat e bukës janë mbyllur dhe në të cilin furnizimi me karburant i objekteve shëndetësore, të ujit dhe të pastrimit pengohen plotësisht.

TRT Balkan / agjencitë