Komisari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut të enjten tërhoqi vëmendjen për përkeqësimin e krizës në Sudan dhe bëri thirrje për veprim të menjëhershëm global për të parandaluar krime të mëtejshme, uri dhe zhvendosje masive.
Duke iu referuar raportit vjetor për Sudanin në sesionin e 58-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk e përshkroi situatën si një "katastrofë humanitare" dhe tha se vendi është "në prag të një kaosi të ri shpërthyes".
“Sudani është një fuçi baruti, në prag të një kaosi të ri dhe në rrezik të madh për shtimin e krimeve dhe vdekjeve masive nga uria,” tha Turk.
Ai theksoi se uria ka prekur tashmë pesë rajone, përfshirë kampin e personave të zhvendosur Zamzam në Darfurin Verior, ku Programi Botëror i Ushqimit u detyrua të ndalojë operacionet për shkak të luftimeve të vazhdueshme.
Që nga shpërthimi i konfliktit në vitin 2023, rreth 8,8 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Sudanit, ndërsa 3,5 milionë kanë ikur në vendet fqinje. Vetëm 30 për qind e spitaleve janë ende funksionale, ndërsa përhapja e sëmundjeve është e shpeshtë në kampet e mbipopulluara.
Turk tha se shkeljet e të drejtave të njeriut, përfshirë dhunën seksuale, rekrutimin e fëmijëve dhe sulmet pa dallim, janë bërë të zakonshme, dhe disa nga këto akte mund të përbëjnë krime lufte.
Ai u bëri thirrje palëve ndërluftuese në Sudan të hyjnë në negociata paqësore, të mbrojnë civilët dhe të lejojnë ndihmën humanitare. Gjithashtu, ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të vendosë një embargo mbi armët dhe të insistojë në një dialog politik gjithëpërfshirës për të rikthyer qeverisjen civile.
"Na nevojitet veprim i menjëhershëm tani, për të gjetur një rrugë drejt paqes," tha ai, duke u kërkuar vendeve me ndikim të ushtrojnë presion diplomatik dhe politik mbi palët në konflikt për një armëpushim, mbrojtjen e civilëve dhe sigurimin e ndihmave humanitare.
"Po ashtu, duhet të garantojnë respektimin e embargos së armëve për Darfurin, ndërsa shqyrtohet zgjerimi i saj në të gjithë vendin," shtoi ai.
Ushtria sudaneze dhe forca paraushtarake Rapid Support Forces (RSF) janë në luftë që nga mesi i prillit 2023, konflikt në të cilin, sipas OKB-së dhe autoriteteve lokale, kanë humbur jetën mbi 20.000 njerëz. Megjithatë, studimet e universiteteve amerikane e vlerësojnë numrin e viktimave në rreth 130.000.