Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, turizmi global pritet të rikuperohet plotësisht nga pandemia në vitin 2024, pasi ardhjet ndërkombëtare të turistëve ka të ngjarë të jenë 2 për qind më shumë se në vitin 2019.
Rritja e lidhjes ajrore globale dhe një rimëkëmbje e fortë e tregjeve aziatike do të lejojë një rikthim të plotë të aktiviteteve turistike në mbarë botën këtë vit, edhe pse paqëndrueshmëria gjeopolitike, e shkaktuar kryesisht nga lufta brutale e Izraelit në Gaza, në Lindjen e Mesme dhe më tej përbën një rrezik për industrinë. Kjo ndikon në besimin e udhëtarëve të mundshëm, tha të premten instituti i turizmit i OKB-së.
Në vitin 2023, kërkesa për udhëtime në Evropë dhe Afrikë pothuajse arriti nivelet para pandemisë, duke i tejkaluar ato në Lindjen e Mesme.
Disa destinacione, si Evropa Mesdhetare, Karaibet dhe nënrajonet e Amerikës Qendrore dhe Afrikës Veriore, tejkaluan ardhjet e tyre ndërkombëtare të turizmit të vitit 2019.
Në vitin 2023, turizmi ndërkombëtar përfundoi në 88 për qind të niveleve para pandemisë, me rreth 1,3 miliard udhëtarë ndërkombëtarë.
Kontributi i përgjithshëm i industrisë në ekonominë globale në vitin 2023 ishte 3,3 trilionë dollarë, sipas raportit.