Zyra e Çështjeve Humanitare e OKB-së (OCHA) ngriti alarmin për situatën e rëndë humanitare në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa luftimet e ashpra dhe dhuna po përshkallëzohen.
“Situata humanitare mbetet jashtëzakonisht shqetësuese”, tha zëdhënësi i OCHA-s, Jens Laerke, në një konferencë për media të OKB-së.
Ka raporte për dhunë mbi baza gjinore, plaçkitje dhe sulme ndaj objekteve humanitare, tha Laerke, duke shtuar se spitalet në Goma janë të mbingarkuar, furnizimet me energji elektrike dhe ujë janë ndërprerë dhe qyteti mbetet jashtë linje për shkak të ndërprerjeve të internetit.
Ai theksoi se mbi 700.000 njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i vitit, ndërsa lokacionet ku ishin strehuar 300.000 persona të zhvendosur brenda vendit (PZhBV), janë zbrazur plotësisht pasi vijat e frontit përparuan me shpejtësi javën e kaluar.
Ai shtoi se fondi i urgjencës i OKB-së ka ndarë 17 milionë dollarë për të mbështetur reagimin, por u bëri thirrje të gjitha palëve të krijojnë korridore humanitare dhe pauza të përkohshme në luftime për të lejuar që ndihma të arrijë civilët dhe për të evakuuar të plagosurit.
Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) u ka bërë jehonë këtyre shqetësimeve, duke raportuar gati gjysmë milioni zhvendosje në Kivunë Veriore dhe atë Jugore vetëm në janar.
“Vendet e PZhBV-ve, që synojnë të ofrojnë siguri, janë shënjestruar me artileri të rëndë, duke shkatërruar strehimore dhe duke vrarë civilë”, tha zëdhënësi i UNHCR-së, Matthew Saltmarsh.
Ndërsa disa njerëz po ikin përtej kufijve, shumë mbeten të bllokuar, në pritje të ndihmës mes kushteve kërcënuese për jetën, tha Saltmarsh.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka paralajmëruar gjithashtu për një krizë të thelluar ushqimore në Goma, ku bllokimi i rrugëve dhe mbyllja e porteve kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimeve jetike.
“Familjet që ikin nga luftimet përballen me sfida të paimagjinueshme dhe mungesa e ushqimit po bëhet kritike”, tha zëdhënësja e WFP-së Shelley Thakral.
Operacionet e WFP-së në rajon janë ndërprerë përkohësisht për shkak të rreziqeve të sigurisë, duke e komplikuar më tej krizën.
Agjencitë e OKB-së kanë dënuar kolektivisht dhunën dhe u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, të sigurojnë mbrojtjen civile dhe ta lehtësojnë aksesin humanitar.
Me mbi 5,1 milionë njerëz tashmë të zhvendosur në Kivunë Veriore dhe atë Jugore përpara këtij përshkallëzimi, Kongoja mbetet në qendër të një prej emergjencave humanitare më urgjente në botë.
“Kjo është një sprovë e madhe për kongolezët e bllokuar nga luftimet në Goma dhe zonat përreth – e qëndrueshmërisë së tyre dhe 24 orët e ardhshme do të jenë kritike pasi njerëzit fillojnë të mbarojnë furnizimet dhe do të duhet të shohin se çfarë mund të gjejnë për të mbijetuar”, tha Thakral.