OKB-ja: Trupat izraelitë në listën e zezë, "shkelje të rënda" ndaj fëmijëve / Photo: AA

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka raportuar se tanimë forcat e armatosura dhe të sigurisë izraelite janë shtuar në listën e "palëve që kryejnë shkelje të rënda që prekin fëmijët në situata konflikti të armatosur".

Një raport ende i pa publikuar që përmban të dhëna për vitin 2023, thotë: "Në vitin 2023, dhuna ndaj fëmijëve në konflikte të armatosura arriti nivele ekstreme, me një rritje tronditëse prej 21 për qind të shkeljeve të rënda".

Duke nënvizuar një rritje me 35 për qind të incidenteve që kanë çuar në vdekjen dhe lëndimin e fëmijëve në krahasim me vitin e kaluar, raporti thotë: "Kombet e Bashkuara verifikuan 32.990 shkelje të rënda, nga të cilat 30.705 janë kryer në vitin 2023 dhe 2.285 më herët, por u verifikuan në vitin 2023".

Sipas raportit, në vitin 2023, të paktën 5.301 fëmijë janë vrarë, 6.348 fëmijë janë plagosur, 8.655 fëmijë janë rekrutuar në grupe të armatosura, 5.205 fëmijëve u është mohuar qasja në ndihma humanitare, 2.491 fëmijë janë ndaluar për shkak të lidhjeve me grupe të armatosura dhe 4.356 fëmijë janë rrëmbyer.

Izraeli i përfshirë për herë të parë

Bazuar në të dhënat e raportit, në dritën e zhvillimeve të fundit në Gaza, shkeljet e rënda ndaj fëmijëve në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze janë rritur me 155 për qind. Në këtë kuadër, janë regjistruar të paktën 8.009 raste të rënda të shkeljeve. Këto shkelje kanë prekur 4.360 fëmijë, nga të cilët 113 izraelitë dhe 4.247 ishin palestinezë.

Raportohet po ashtu se ka pasur 7.837 shkelje ndaj 4.247 fëmijëve palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Më tej, theksohet se këto shkelje janë kryer nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm izraelitë.

Ndërkaq, raporti pohon se ushtria izraelite dhe forcat e sigurisë ishin përgjegjëse për 5.698 nga këto shkelje.

Duke thënë se Izraeli ka arrestuar 906 fëmijë palestinezë, raporti gjithashtu tregon se OKB-ja ka informacione për fëmijët që i nënshtrohen keqtrajtimit dhe abuzimit seksual.

Gjithashtu, citohet se ushtria izraelite ka penguar aksesin e fëmijëve në ndihma humanitare në Gaza, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Përveç ushtrisë dhe forcave të sigurisë izraelite, në listë janë përfshirë edhe krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Kassam si dhe Brigada Al-Kuds, krahu i armatosur i grupit palestinez Xhihadi Islam.

Ndër të tjerash, 23 mijë shkelje të rënda janë në pritje të konfirmimit për shkak të situatës në Gaza në tremujorin e fundit të vitit 2023.

“Jam i tronditur nga numri i paprecedentë i fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar nga ushtria izraelite dhe forcat e sigurisë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.", deklaron në raport Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Fushat kryesore të shkeljeve

Vendet ku shkeljet ndaj fëmijëve janë më intensive janë Izraeli dhe territoret e pushtuara palestineze, Republika Demokratike e Kongos, Mianmari, Somalia, Nigeria dhe Sudani, sipas raportit.

Është raportuar se ka pasur 3.764 shkelje të rënda në Republikën Demokratike të Kongos, 2.799 në Mianmar, 2.283 në Somali, 1.995 në Nigeri dhe 1.721 në Sudan. Raporti shton se forcat ruse të sigurisë janë ende në listë për shkak të shkeljeve në Ukrainë, me 938 raste shkeljesh të rënda të regjistruara në Ukrainë.

Duke cituar se aktorët joshtetërorë janë përgjegjës për 50 për qind të shkeljeve të rënda, me forcat qeveritare që luajnë rolin më të madh në vdekjet dhe lëndimet e fëmijëve, raporti përmend më tej se fëmijë meshkuj rekrutohen, vriten dhe plagosen në grupe të armatosura në shkallë më të lartë, ndërsa fëmijët femra i nënshtrohen dhunës seksuale në shkallë më të lartë.

AA