OKB: Në Afganistan 6 milionë njerëz përballen me pasiguri ushqimore.     Foto: AA

Zv/përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin, Ramiz Alakbarov, theksoi se në stinën e dimrit temperatura në disa rajone të Afganistanit ulet deri në minus 25 gradë.

"Kemi nevojë për 768 milionë dollarë për të mbështetur punimet e përgatitjes për dimër dhe para se të përfundojë viti kemi nevojë për 614 milionë dollarë. Përgjatë vitit kemi luftuar për këto fonde", tha Alakbarov.

Ai po ashtu theksoi se 6 milionë njerëz ndodhen përballë pasigurisë ushqimore në nivelin e një situate urgjente dhe shtoi se kjo shifër përfaqëson një nivel të lartë në çështjen e pasigurisë ushqimore.

Sipas OKB-së, dy të tretat apo mbi 28 milionë persona e popullatës së Afganistanit do të jenë në nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2023.

Me ndërprerjen e ndihmës financiare ndërkombëtare pasi talebanët erdhën në pushtet në Afganistan më 15 gusht të vitit 2021, ekonomia e vendit mori goditje të rëndë, ndërkohë gratë dhe vajzat u privuan nga shumë të drejta, përfshirë arsimin. Në këtë proces mijëra gra humbën vendet e punës në institucionet shtetërore dhe në sektorin privat.

AA