OKB: Popullsia e botës arriti në 8 miliardë.     Foto: AA

Popullsia globale arriti në 8 miliardë njerëz të premten, një moment historik në zhvillimin njerëzor, sipas vlerësimeve të OKB-së. Po ashtu parashikohet që India të tejkalojë Kinën si kombi më i populluar në botë në një moment në vitin 2023. "Ky moment historik është një rast për të festuar diversitetin dhe përparimet duke marrë parasysh përgjegjësinë e përbashkët të njerëzimit për planetin," tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një deklaratë paraprake të enjten. Megjithëse shkalla e rritjes ka rënë, popullsia njerëzore në botë pritet të vazhdojë të rritet, që u atribuohet përmirësimeve në shëndetin publik, ushqimin, higjienën personale dhe mjekësinë. "Ndërsa popullsisë globale iu deshën 12 vjet për t'u rritur nga 7 në 8 miliardë, do të duhen afërsisht 15 vjet - deri në vitin 2037 - që ajo të arrijë në 9 miliardë, një shenjë se norma e përgjithshme e rritjes së popullsisë globale po ngadalësohet", thonë nga OKB. India është gati të kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë në vitin 2023, ka vlerësuar OKB-ja. Tetë vende, përkatësisht Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Tanzania, do të përbëjnë më shumë se gjysmën e rritjes së parashikuar të popullsisë botërore deri në vitin 2050. Në vitin 2019, jetëgjatësia mesatare në lindje arriti në 72.8 vjet, një rritje prej rreth nëntë vjetësh që nga viti 1990, ndërkohë që parashikohet që reduktimet e mëtejshme të vdekshmërisë do të çojnë në një jetëgjatësi mesatare globale prej rreth 77.2 vjet në 2050.

AA