"Vendimi i vazhdueshëm i qeverisë britanike për të refuzuar të ndalojë shitjen e armëve për Izraelin është në kundërshtim me vendimet e marra për sulmet e kaluara në Gaza dhe hap derën për të qenë bashkëpunëtorë në krimet e luftës", thuhet në një deklaratë të Organizatës ndërkombëtare humanitare Oxfam.
Në deklaratë, gjithashtu theksohet se, edhe pse mbi 33 mijë persona kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Gaza, kryeministri britanik dhe ministri i jashtëm kanë hedhur poshtë thirrjet për të ndaluar shitjen e armëve për këtë vend.
Duke kujtuar se qeveria britanike ka marrë garanci të ndryshme nga Izraeli në lidhje me përdorimin e armëve që i ka shitur, Oxfam më tej tha se "megjithatë, Izraeli i ka shkelur këto garanci çdo herë dhe qeveria britanike preferoi të mos vendoste asnjë kusht në vend që të kërkonte zbatimin e këtyre garancive".
Ndërkohë, Aleema Shivji, zyrtare e Oxfamit, e ka përshkruar vazhdimin e shitjes së armëve Izraelit si "të paligjshme dhe jomorale".
Ajo ka nënvizuar se armët e prodhuara në Britani po përdoren haptazi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
"Populli i Gazës po përjeton humbje jetësh në një nivel të paprecedentë, shkollat dhe spitalet po synohen qëllimisht, dhe uria po përdoret si armë. Çfarë vuajtjesh të mëtejshme duhet të përjetojnë, që Britania të ndërmarrë veprime? Britania duhet të ndalojë menjëherë shitjen e armëve, duke përfshirë pjesët rezervë, ose do të rrezikojë të bëhet bashkëpunëtore në krime të luftës", ka thënë Shivji.