Pakistani të enjten njoftoi se kishte goditur "bazat e terroristëve" në Iran, më pak se dy ditë pasi Teherani kreu sulme ajrore të cilat Islamabadi i quajti shkelje të hapësirës ajrore.
“Mëngjesin e sotëm Pakistani ndërmori një seri sulmesh ushtarake të koordinuara dhe të shënjestruara në mënyrë specifike kundër bazave terroriste në provincën Siestan-o-Baluchistan të Iranit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.
Sipas burimeve ushtarake pakistaneze, avionët dhe dronët u futën rreth 20 km brenda Iranit për të goditur bazat e terroristëve.
Një numër terroristësh u vranë gjatë operacionit të koduar "Marg Bar Sarmachar (Vdekje Sarmachar)", të bazuar në të dhënat e inteligjencës, shton deklarata.
Konfirmimi zyrtar erdhi pasi Anadolu raportoi se Pakistani goditi grupin militant të Ushtrisë Çlirimtare të Balochistanit në Iranin juglindor.
Më tej, thuhet se "aksioni i mëngjesit të sotëm u ndërmor në bazë të të dhënave të besueshme të inteligjencës lidhur me aktivitetet e afërta terroriste në shkallë të gjerë nga këta të ashtuquajtur Sarmachars".
“Objektivi i vetëm i aktit të sotëm ishte ndjekja e sigurisë dhe interesit kombëtar të Pakistanit, i cili është prioritar dhe nuk mund të rrezikohet”, tha Ministria e Jashtme, duke shtuar: “Pakistani respekton plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Islamike të Iranit”.
Nga ky sulm Irani njoftoi se shtatë persona, mes tyre tre gra dhe katër fëmijë.
Duke folur për televizionin shtetëror iranian, zëvendësguvernatori i provincës Sistan-Baluchistan, Ali Reza Merhameti, njoftoi se sulmi me raketa u krye në një fshat në rajonin kufitar të provincës në mëngjes.
“Në këtë sulm humbën jetën tri gra jo iraniane dhe katër fëmijë”, tha zyrtari iranian.
Merhameti ka deklaruar se një shpërthim ka ndodhur edhe në qytetin Seravan të provincës, por ai ka deklaruar se nuk ka pasur humbje jete.