Shteti palestinez i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) të lëshojë urdhërarreste kundër kolonëve të paligjshëm izraelitë që po kryejnë krime në Bregun Perëndimor.
Njëkohësisht, thirrja ishte edhe për një ndërhyrje ndërkombëtare për të detyruar Izraelin të ndalojë projektet e vendbanimeve kolone ilegale.
Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës në një deklaratë i kërkoi gjykatës të lëshojë me shpejtësi urdhërarreste për kolonët ekstremistë dhe mbështetësit e tyre që kryejnë krime kundër palestinezëve.
Palestina bëri thirrje edhe për ndërhyrjen urgjente të komunitetit ndërkombëtar për të detyruar Izraelin të ndalojë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve koloniale. Kërkesa përfshin shpërbërjen e organizatave dhe milicive të armatosura të kolonëve, tërheqjen e armatimit, ndalimin e financimeve dhe ndëshkimin e atyre që ofrojnë mbështetje dhe mbrojtje për këto aktivitete.
Në deklaratë po ashtu pati një thirrje për "imponimin e sanksioneve detyruese ndërkombëtare mbi gjithë sistemin e vendbanimeve kolone, duke e konsideruar atë të paligjshëm dhe jolegjitim".
Një sulm masiv u krye nga kolonët e paligjshëm të premten në fshatin Al-Mughayyir në verilindje të Ramallahut në Bregun Perëndimor, duke rezultuar në vrasjen e një të riu dhe plagosjen e dhjetëra palestinezëve, përveç 40 shtëpive dhe dhjetëra automjeteve që u dogjën.
Sulmet u përsëritën të shtunën nga kolonët në disa fshatra dhe qytete palestineze në Ramallah dhe Nablus.
Ndërkohë, tensionet janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Ndërsa kolonët e paligjshëm i kanë shtuar sulmet e tyre, ushtria izraelite i ka përshkallëzuar operacionet e saj, duke vrarë të paktën 463 palestinezë, duke plagosur 4.750 dhe duke arrestuar më shumë se 8.000 të tjerë, sipas burimeve palestineze.