Palestina dënoi ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për përdorimin e një harte në të cilën ishte fshirë Bregu Perëndimor.
“Harta e Netanyahut zbulon të vërtetën për planet koloniale dhe raciste të qeverisë ekstremiste të krahut të djathtë”, tha në një komunikatë ministria e Jashtme e Palestinës.
Kryeministri izraelit të hënën shfaqi një hartë dixhitale me madhësi muri të territorit të Bregut Perëndimor që po fshihej. Palestinezët e dënuan këtë veprim si një aneksim të qartë të territorit të pushtuar.
"Netanyahu vazhdon dhe përdor në mënyrë të përsëritur një hartë që përfshin Bregun Perëndimor si pjesë të një shteti pushtues, në njohje të qartë dhe eksplicite të këtij krimi racist kolonial dhe mospërfillje të legjitimitetit ndërkombëtar dhe rezolutat e tij, vullnetit ndërkombëtar për paqe dhe marrëveshjeve të nënshkruara. Kjo sjellje është një sfidë e qartë për përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur luftën e shfarosjes dhe zhvendosjes dhe për të ringjallur procesin e paqes bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, thonë nga ministria.
Ministria e Jashtme palestineze theksoi se përdorimi i hartës nga Netanyahu pasqyronte "politikat e tij raciste, ekspansioniste koloniale të praktikuara në terren para syve të botës".
“Ne e shohim me shqetësim të madh këtë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht pasi okupatori po kryen krimet më të tmerrshme kundër popullit tonë”, thuhet në deklaratë.
Tensionet po rriten në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në vazhdën e ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 40.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Të paktën 670 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 5.600 të plagosur nga zjarri izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.