Palestina një nga vendet më të rrezikshme në historinë e gazetarisë. / Foto: AA

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka njoftuar se në vitin 2024 janë vrarë 122 gazetarë dhe punonjës të medias, dhe se Palestina, ku ndodhën më shumë se gjysma e këtyre rasteve fatale, është "një nga vendet më të rrezikshme në historinë e gazetarisë moderne."

Në raportin e fundit të vitit, i përgatitur nga IFJ-ja me seli në Bruksel, thuhet se këtë vit janë vrarë 122 gazetarë dhe punonjës të medias, përfshirë 14 gra.

Në raport thuhet se viti 2024 ka qenë "një nga vitet më vdekjeprurëse" për gazetarët dhe bëhet thirrje për Kombet e Bashkuara (OKB) që të miratojnë një marrëveshje të detyrueshme për mbrojtjen e gazetarëve.

"Që nga 7 tetori i vitit të kaluar janë vrarë 147 gazetarë, duke e bërë Palestinën një nga vendet më të rrezikshme në historinë e gazetarisë moderne," thuhet në njoftim.

Sipas raportit, Lindja e Mesme është regjioni me numrin më të madh të viktimave, me 77 punonjës të medias të vrarë deri tani.

Në Gaza dhe Liban, ku Izraeli vazhdon sulmet, janë vrarë 64 palestinezë, 6 libanezë dhe një punonjës i medias sirian.

Pas Lindjes së Mesme, numri më i madh i gazetarëve dhe punonjësve të medias të vrarë është në Azinë dhe Paqësorin, me 22 viktima, në Afrikë 10, në Amerikë 9 dhe në Evropë 4.

Në raport theksohet gjithashtu se 516 gazetarë janë në burgje në mbarë botën, që është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.

Numri më i madh i gazetarëve të burgosur është në Kinë, me 135, pastaj 59 gazetarë palestinezë në Izrael dhe 44 në Mianmar.

Raporti thekson se 254 gazetarë janë në burg në rajonin Azi-Paqësor, pastaj në Evropë (142), Lindjen e Mesme (102), Afrikë (17) dhe Amerikën Latine (1).

Sekretari i Përgjithshëm i IFJ, Anthony Bellanger, shprehu ngushëllime për punonjësit e medias që humbën jetën në vitin 2024, duke thënë: "Pas kësaj shifre të lartë fshihet 122 histori të papërfunduara."

Për të siguruar që vdekjet e gazetarëve të mos kalojnë pa u ndëshkuar, ai bëri thirrje për vendet anëtare të OKB-së që të ndërmarrin hapa për të siguruar miratimin e një konvente të detyrueshme për sigurinë e gazetarëve.

TRT Balkan / agjencitë