Derisa lufta izraelite në Rripin e Gazës së rrethuar arriti në ditën e saj të 217-të, palestinezët vazhdojnë të lëshojnë shtëpitë e tyre për shkak të operacionit tokësor në qytetin Rafah në pjesën jugore të enklavës.
Civilët palestinezë të zhvendosur nga qyteti Rafah kanë ngritur tenda në anën bregdetare të qytetit Deir al-Balah, që gjithashtu ndodhet në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Të hënën, forcat izraelite lëshuan urdhra evakuimi për palestinezët në pjesën lindore të qytetit Rafah, një lëvizje që konsiderohet gjerësisht si një nisje e sulmit të paralajmëruar të Izraelit ndaj qytetit ku po strehohen rreth 1,5 milion palestinezë të zhvendosur.
Një ditë më vonë, forcat izraelite morën kontrollin e kalimit kufitar Rafah që lidh Gazën me Egjiptin, duke e mbyllur atë për të gjithë trafikun.
Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.
Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.