Palestinezët nxjerrin 392 trupa nga 3 varre masive në Khan Younis të Gazës

Palestinezët nxjerrin 392 trupa nga 3 varre masive në Khan Younis të Gazës

Në mesin e viktimave u gjetën edhe trupa të fëmijëve, thotë agjencia e mbrojtjes civile të Gazës.
Palestinezët nxjerrin 392 trupa nga 3 varre masive në Khan Younis të Gazës / Photo: AA

Palestinezët kanë zbuluar 392 trupa në tri varre masive në spitalin Nasser në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës, tha të enjten agjencia e mbrojtjes civile.

“Ekipet e mbrojtjes civile kanë nxjerrë 392 trupa nga varrezat masive”, tha agjencia gjatë një konference për shtyp në qytetin jugor të Rafah, duke shtuar se në mesin e viktimave u gjetën edhe trupa fëmijësh.

“Ne nuk e dimë arsyen e pranisë së trupave të fëmijëve në këto varreza masive në spital,” tha agjencia.

Sipas agjencisë, në trupat e viktimave janë gjetur edhe shenja torture.

"Ka indikacione për kryerjen e ekzekutimeve në terren kundër disa prej viktimave, ndërsa trupat e viktimave të tjera mbanin shenja torture dhe të tjerët u varrosën të gjallë. Disa viktima u varrosën në qese plastike dhe u vendosën në një thellësi prej tre metrash, gjë që përshpejtoi dekompozimin e tyre”, shtuan nga agjencia.

Trupat u zbuluan pasi ushtria izraelite u tërhoq nga Khan Younis më 7 prill pas një ofensive tokësore 4-mujore në qytet.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau afro 1.200 njerëz.

Më shumë se 34.300 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 77.300 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA