Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, u ka dhënë grave të drejtën e votës në Sinodin e Shenjtë (Kuvendi i Peshkopëve) që nga mbledhja e radhës.
Vatikani deklaroi se Papa miratoi disa ndryshime në normat që lidhen me menaxhimin e Sinodit të Shenjtë, një nga organet e rëndësishme konsultative të Kishës Katolike, ku peshkopët nga e gjithë bota mblidhen periodikisht për të zgjidhur çështje të caktuara.
Papa Françesku do t'i lejojë gratë të votojnë për herë të parë në një takim global të peshkopëve në tetor të këtij viti. Deri më tani të drejtën e votës kishin vetëm meshkujt.
Mediat thonë se këto ndryshime janë një "pikë kthese historike" për Vatikanin dhe një "risi e paprecedentë në Kishën Katolike".
Sinodi i Shenjtë, i cili do të përbëhet nga afërsisht 370 anëtarë, pritet të ketë gjithsej 41 gra me të drejtë vote, nga të cilat gjashtë janë nga kisha dhe 35 do të emërohen rishtazi.
Kështu, përfaqësimi i grave që kanë të drejtën e votës në Sinodin e Shenjtë të ardhshëm, i cili do të mbahet në tetor, do të jetë rreth 10 për qind.
"Ky është një ndryshim i rëndësishëm, por jo një revolucion", tha kardinali Jean Claude Hollerich.
Në të kaluarën, gratë lejoheshin të merrnin pjesë në sinode si auditore, por pa të drejtë vote.