Papa Françesku nga Bahreini: Le të heshtin armët.     Foto: Reuters

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i shtetit të Vatikanit, Papa Françesku, deklaroi se “logjika e armëve duhet të refuzohet” dhe bëri thirrje për “heshtjen e armëve”.

Sipas televizionit shtetëror të Bahreinit, Papa Françesku u prononcua pas takimit me mbretin Hamad bin Isa Al-Khalifa në Pallatin Sahir në kryeqytetin Manama, ku ai gjendet për vizitën e tij të parë në këtë vend të Gjirit.

“Unë erdha këtu për të rritur shpresat për paqe dhe për të marrë pjesë në Forumin e Dialogut Lindje-Perëndim, të organizuar me synimin që njerëzit të jetojnë në paqe”, tha Papa.

Duke deklaruar se problemet mjedisore janë “urgjente dhe trishtuese”, Papa Françesku tha se “duhen marrë masa praktike dhe afatgjata para se të jetë tepër vonë dhe pa kërcënuar brezat e ardhshëm”, u shpreh ai.

Papa Françesku theksoi se populli jemenas “po vuan nga një luftë e harruar” për shkak të përleshjeve që vazhdojnë prej shtatë vitesh midis forcave qeveritare dhe rebelëve Houthi.

Duke theksuar se “logjika e armëve duhet të refuzohet", Papa Françesku tha: “Unë kundërshtoj: Le të heshtin armët dhe le t’i përkushtohemi sinqerisht paqes kudo”.

Ndërkaq, Mbreti Hamad bin Isa Al-Khalifa, theksoi se lufta Ukrainë-Rusi, e cila po vazhdon që nga muaji shkurt, ka ndikuar negativisht në botë në aspektin ekonomik, politik dhe të sigurisë dhe bëri thirrje që lufta të ndalet.

Vizita e Papa Françeskut në Bahrein

Papa Françesku arriti dje në Bahrein i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë për të marrë pjesë në “Forumin e Bahreinit për Dialog: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore”, i cili filloi dje nën kujdesin e monarkut të Bahreinit.

Sipas faqes së internetit të Vatikanit, Papa Françesku do të qëndrojë në Bahrein deri më 6 nëntor.

Kjo është vizita e parë e Papës në Bahrein dhe e dyta në Gjirin Persik, pas vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2019.

AA