Kreu i partisë kryesore opozitare greke, SYRIZA, njoftoi të hënën se po i bën presion qeverisë greke që të njohë shtetin e Palestinës.
“Ne duhet të nxjerrim një mësim historik nga miqësia mes popullit grek dhe atij palestinez, duke filluar me Andreas Papandreu (ish-kryeministër grek op.a.) dhe Yasser Arafat (ish-lider palestinez op.a.), dhe ta kthejmë atë në ballë të politikës sonë të jashtme sot. Sepse nëse jo tani, kur? Cila është koha më e mirë për të njohur përfundimisht një shtet palestinez, për të ndjekur shembullin e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë”, tha kreu i SYRIZA-s Stefanos Kaselakis në një intervistë për radion “Sto Kokkino”.
Duke folur për vizitën e tij në Bregun Perëndimor, gjatë së cilës u takua me zyrtarë të lartë palestinezë, si dhe me palestinezë të zakonshëm, ai tha se iu prezantuan pamjet vizuale të shkatërrimit në Rripin e Gazës.
"Pra, ajo që supozohej të ishte e drejta e Izraelit për t'u vetëmbrojtur kundër Hamasit, tani është bërë një gjakderdhje, një masakër pa fund", tha Kaselakis, duke shtuar se "bota perëndimore, Evropa dhe Greqia nuk mund të tolerojnë më atë që po ndodh në Gaza”:
"Evropa duhet të ketë mendimin e saj. Ajo nuk mund të ndjekë shembullin e Amerikës në të gjitha negociatat e saj me Izraelin, Palestinën dhe vendet arabe. Evropa duhet të ketë një këndvështrim dhe duhet të jetë në favor të paqes."