Pas bastisjes dyjavore, Izraeli lë spitalin Al-Shifa në gërmadha / Photo: AA

Sipas mjekëve palestinezë, të gjitha ambientet e spitalit janë shkatërruar nga zjarri dhe bombardimet dyjavëshe nga sulmet e ushtrisë izraelite, duke e nxjerrë spitalin jashtë funksionit.

Marwan Abu Sada, kreu i Departamentit të Kirurgjisë në spital, u shpreh se tërheqja e ushtrisë izraelite nga Al-Shifa la pas shkatërrime të përhapura në të gjitha ndërtesat dhe objektet e spitalit.

Abu Sada nënvizoi se ky shkatërrim brutal e ka bërë të pamundur rifillimin e operacioneve mjekësore për të ndihmuar të plagosurit dhe pacientët.

"Ushtria izraelite hodhi në erë ndërtesat e spitalit duke ngritur kurthe, dogji stacionet e oksigjenit dhe gjeneratorët elektrikë dhe i vuri flakën të gjitha pjesëve të spitalit.", tregoi ai.

Duke theksuar nevojën urgjente për rindërtimin e plotë të spitalit, Abu Sada i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të hetojë mizoritë dhe të gjejë zgjidhje alternative mjekësore për palestinezët në enklavën e rrethuar.

Spitali u shëndërrua në gërmadha

Fares Afanah, drejtori i Shërbimeve të Ambulancës dhe Emergjencave në spital, tregoi gjithashtu mbërritjen në vendngjarje pas tërheqjes së ushtrisë izraelite dhe dëshmitar i një skene shkatërrimi, duke përfshirë "trupa të dekompozuar".

"Spitali Al-Shifa është shkatërruar plotësisht, me të gjitha objektet spitalore të djegura. Është si një rrënojë masive e lënë pas nga një tërmet shkatërrues. Për shkak të shkatërrimit të madh të shkaktuar nga Izraeli, spitali nuk është i përshtatshëm për operim përsëri.", raportoi ai.

Duke e përshkruar situatën në territorin palestinez si një fatkeqësi humanitare, Afanah dënoi "gjenocidin e vazhdueshëm" në territoret palestineze, me forcat izraelite që synojnë çdo gjë në lëvizje.

Më herët të hënën, Izraeli njoftoi se ishte tërhequr nga kompleksi më i madh shëndetësor i Rripit të Gazës, Spitali Al-Shifa, dhe rrethinat e tij pas bastisjeve të tij dy-javore që filluan më 18 mars.

Dëshmitarët okularë thanë se ushtria izraelite u tërhoq nga brenda Spitalit Al-Shifa dhe zonat përreth në perëndim të qytetit të Gazës, duke lënë shumë viktima dhe shkatërrime të mëdha në spital dhe në afërsi të tij.

Gjithashtu, sipas dëshmitarëve, forcat izraelite dogjën ndërtesat e reparteve të veshkave dhe maternitetit, frigoriferë mortorë dhe objektet e kancerit dhe djegieve, si dhe shkatërruan ndërtesën e klinikës ambulantore.

Burimet mjekësore palestineze njoftuan se spitali tani është plotësisht jashtë shërbimit dhe se ushtria ka shkatërruar të gjitha pajisjet mjekësore në kompleks, duke përfshirë dhomat e operacionit dhe njësitë e kujdesit intensiv.

Spitali ishte bastisur edhe më parë më 16 nëntor nga forcat izraelite, e cila zgjati një javë, duke shkatërruar oborret e tij, pjesë të ndërtesave, pajisjet mjekësore dhe gjeneratorin e energjisë.

AA