Pekin: Xi dhe Orban diskutojnë zgjidhjen politike të luftës në Ukrainë / Photo: AA

Presidenti i Kinës Xi Jinping priti të hënën kryeministrin hungarez Viktor Orban në Pekin ku diskutuan për konfliktin në Ukrainë.

Xi i tha Orbanit se një armëpushim i hershëm dhe një zgjidhje politike e krizës është në interesin më të mirë të të gjithëve, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying.

Të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime në Diaoyutai në kryeqytetin kinez.

Pas uljes në Pekin, Orban e quajti vizitën e tij "Misioni i Paqes 3.0".

Javën e kaluar, Orban u takua me presidentin rus Vlladimir Putin në Moskë për të diskutuar zgjidhjet e mundshme të konfliktit të Ukrainës, marrëdhëniet Rusi-Evropë dhe sigurinë evropiane.

Ai gjithashtu fluturoi në Kiev për t'u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“Prioriteti tani është që të mos sigurohet asnjë zgjerim i fushës së betejës, asnjë përshkallëzim i luftimeve dhe asnjë provokim nga asnjë palë, si dhe të punohet për depërshkallëzimin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha udhëheqësi kinez.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të “sigurojë kushte dhe mbështetje për rifillimin e dialogut dhe negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet dy palëve”.

"Vetëm kur të gjitha vendet kryesore luajnë një rol pozitiv dhe jo negativ, mund të shfaqet një perspektivë e hershme e armëpushimit," tha Xi.

Ai tha se Kina po "promovon në mënyrë aktive bisedimet e paqes në mënyrën e vet dhe inkurajon dhe mbështet të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për një zgjidhje paqësore".

“Kina dhe Hungaria ndajnë të njëjtat propozime bazë dhe po punojnë në të njëjtin drejtim. Kina do të vazhdojë të komunikojë me Hungarinë dhe palët përkatëse”, shtoi ai.

Në komentet e tij të shkurtra pas takimit, Orban tha: "Kina është fuqi kyç në krijimin e kushteve për paqe" në luftën Rusi-Ukrainë.

"Kjo është arsyeja pse erdha të takohem me Presidentin Xi në Pekin, vetëm dy muaj pas vizitës së tij zyrtare në Budapest”, tha ai në X.

Hungaria ka marrë presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian deri më 31 dhjetor.

Xi vuri në dukje "ndikimin strategjik dhe global" të marrëdhënieve Kinë-BE.

“Kina dhe BE-ja duhet të vazhdojnë të rrisin marrëdhëniet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme dhe të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat globale,” i tha ai Orbanit.

“Ata duhet ta shohin njëri-tjetrin si partnerë dhe ta bëjnë bashkëpunimin tipar përcaktues të marrëdhënieve të tyre, të avancojnë hapjen e dyanshme, të rrisin koordinimin ndërkombëtar dhe të kontribuojnë për paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin në botë”.


TRT Balkan / agjencitë