Pesë letra-bombë dërguar profileve të larta në Spanjë.     Foto: Reuters

Një tjetër letër-bombë drejtuar Qendrës Satelitore të BE-së në Madrid u zbulua të enjten (1 dhjetor) në mëngjes, vetëm një ditë pasi një paketë e ngjashme shpërtheu në Ambasadën e Ukrainës në Madrid.
Sipas Ministrisë së Brendshme, policia spanjolle zbuloi gjithashtu një letër bombë të ngjashme drejtuar kryeministrit Pedro Sanchez të enjten (24 nëntor) e kaluar.

Në total, pesë letra-bomba u dërguan në objektiva të profilit të lartë në Spanjë gjatë javës së kaluar.

E para, drejtuar Sanchezit që përmbante lëndë shpërthyese, u dërgua me postë të zakonshme dhe u çaktivizua nga policia.

Të njëjtën ditë, Ministria e Brendshme i tha policisë që të rriste sigurinë rreth paketave të postës që dërgoheshin në zyrat e qeverisë, megjithëse kjo u bë publike vetëm një javë më vonë.

Të mërkurën, një paketë e ngjashme drejtuar ambasadorit ukrainas shpërtheu në ambasadën e Ukrainës në Madrid. Një punonjës ka pësuar lëndime të lehta.

Më vonë atë natë, kompania e armëve 'Instalaza', e cila prodhon granatahedhës me raketa C90 që Spanja dërgon në Ukrainë, zbuloi një tjetër pako të dyshimtë. Stafi e raportoi në polici dhe bomba u çaktivizua.

Vetëm pak orë më vonë, herët në mëngjesin e së enjtes, siguria në bazën ajrore Torrejon në Madrid zbuloi një tjetër zarf të dyshuar drejtuar Qendrës Satelitore të Bashkimit Evropian. Pasi e kaluan atë përmes një aparati me rreze X, autoritetet panë se ai përmbante "një mekanizëm", sipas ministrit të brendshëm.

Për pasojë, policia u thirr për të çaktivizuar lëndën plasëse.

Gjithashtu, një tjetër zarf u zbulua të enjten në Ministrinë e Mbrojtjes në Madrid, i cili i drejtohej ministres së Mbrojtjes Margarita Robles, sipas burimeve që folën për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE.

Edhe pse policia është ende duke hetuar, Ministri i Brendshëm Fernando Grande Marlaska tha se të katër letrat-bomba, duke përjashtuar atë që i drejtohej Ministrisë së Mbrojtjes, siç u njoh më vonë, kishin "karakteristika të ngjashme".

Drejtori i përgjithshëm i Gardës Civile, Rafael Perez, tha më vonë se pesë zarfet kishin "karakteristika të ngjashme" dhe ishin dërguar nga brenda Spanjës, duke përmendur hetimet paraprake.
Ministria e Brendshme ka shtuar masat e sigurisë rreth konsullatave e organizatave të tjera të ndjeshme dhe Gjykata e Lartë tani po heton rastet.

AA