Holanda dhe Gjermania diskriminojnë gratë muslimane të cilat bartin hixhab(mbulesë) në vendin e punës, kështu thuhet në artikullin akademik të botuar në European Sociological Review
Sipas një eksperimenti të gjërë në terren diskriminimi në përgjithësi hasej në momente kur puna kërkonte kontakt të drejtëpërdrejtë shitës-blerës.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se gratë nën hixhab në Spanjë ishin më pak të diskriminuara në krahasim me Holandën dhe Gjermaninë.
Tre studiues, Marina Fernandez-Reino, Valentina Di Stasio dhe Susanne Veit, analizuan nëse punëdhënësit kanë trajtim diskriminues ndaj të gjithë aplikantëve myslimanë (të mbuluar apo të pambuluar) apo vetëm ata që ndiqnin rregullat fetare myslimane, si mbajtja e hixhabit apo shamisë.
Ata përzgjodhën një grup kandidatesh femra dhe dorëzuan dy aplikime për punë për secilën. Njërit aplikacion i është bashkangjitur një foto e kandidates të veshur me hixhab dhe tjetra pa hixhab. Përkatësia fetare e grave muslimane pa mbulesë u sinjalizua përmes aktiviteteve të tyre vullnetare në qendrën fetare.
Shpalljet e punës varionin nga parukierët dhe shitësit e dyqaneve te recepsionistët dhe përfaqësuesit e shitjeve – profesione që kërkojnë një shkallë të lartë kontakti të drejtpërdrejtë me klientët. Profesionet e zgjedhura ndryshojnë në kërkesat e tyre arsimore, ku kuzhinierët, shitësit dhe parukierët në përgjithësi kërkojnë kualifikime më të ulëta se profesionet e tjera në të tre vendet.
Në Holandë, pothuajse 70 për qind e aplikimeve për punë që përfshinin një foto të një gruaje të ekspozuar morën një thirrje pozitive për punë që kërkonin kontakt të lartë me klientët. Por për kërkesat me foto të grave me hixhabe, norma pozitive ishte 35 për qind.
"Niveli i lartë i diskriminimit që kemi regjistruar në Holandë, ku konteksti institucional ka qenë tradicionalisht i hapur për përshtatjen e të drejtave të pakicave fetare, është veçanërisht befasues dhe tregon për efektin e mundshëm stigmatizues të politikave të fundit që synojnë asimilimin kulturor të emigrantëve", theksuan studiuesit.
Poashtu edhe një eksperiment tjetër i realizuar në terren në Gjermani dha rezultate mjaft të ngjashme, ku 53 për qind e grave muslimane të ekspozuara morën reagime pozitive nga punëdhënësit, ndërsa vetëm rreth 25 për qind e grave me hixhabe morën përgjigje nga kompanitë.
Nga ana tjetër sipas studimeve në terren, në Spanjë, niveli i diskriminimit ndaj grave muslimane të mbuluara nuk ishte statistikisht i rëndësishëm.
Këto rezultate janë plotësuese me disa kërkime që tregojnë se gratë muslimane në përgjithësi janë edhe më të diskriminuara nga ajo që paraqitet në këto hulumtime sa i përket tregut të punës.
Nëse i referohemi hulumtimit të kryer nga Doris Weichselbaumer e Universitetit Cornell shihet qartë se në vitin 2019 në Gjermani, jo vetëm gratë që mbajnë hixhab, por edhe gratë me emra jogjermanë që nënkuptojnë origjinën e emigrantëve gjithashtu përballen me diskriminim.
Përqindja e kthimit të telefonatave për një intervistë pune me të njëjten kandidate me një emër gjerman dhe një foto të një gruaje pa mbulesë ishte 18.8 për qind, ndërsa 13.5 për qind kur kandidatja kishte një emër turk dhe një foto të një gruaje të veshur me shami.
Kombinimi i emrit dhe shamisë turke rezultoi të ishte pjesa më e diskriminuar në mesin e të gjitha kërkesave pasi përqindja e kthimit të tyre mbeti në vetëm 4.2 për qind.
Një studim i fundit i publikuar në European Sociological Review zbuloi se aplikantët myslimanë që veshin veshje fetare mund të trajtohen në mënyrë të padrejtë në intervistat e punës për punë që nuk kërkojnë kontakt ballë për ballë me klientët.
Në fund studiuesit vunë në dukje se punëdhënësit në përgjithësi tregojnë një neveri ndaj çdo lloj veshjeje fetare, duke përfshirë ato të veshura edhe nga burrat.