Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Hezbollahu nuk mund të qëndrojë i vetëm kundër regjimit izraelit të mbështetur nga vendet perëndimore.
Në një intervistë për CNN, Pezeshkian vlerësoi pasojat e mundshme të agresionit izraelit në rajon.
Ai tha se nuk do të lejojë që Libani "të bëhet një Gazë tjetër në duart e Izraelit".
"Hezbollahu nuk mund ta bëjë i vetëm. Hezbollahu nuk mund të qëndrojë i vetëm kundër një regjimi të mbështetur nga vendet perëndimore, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me armët më të avancuara," tha Pezeshkian.
Ai më në fund paralajmëroi se rajoni ishte në rrezik për të hyrë në një "luftë më të gjerë" nëse sulmet izraelite nuk ndaleshin.
Të paktën 558 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në Liban, tha të martën ministri libanez i Shëndetësisë Firas Abiad. Midis viktimave ishin 50 fëmijë dhe 95 gra, ndërsa të paktën 1.835 njerëz u plagosën, tha Abiad në një konferencë për shtyp në Bejrut.
"Shumica e viktimave në sulmet izraelite që nga mëngjesi i së hënës janë civilë të pambrojtur në shtëpitë e tyre. Kjo hedh poshtë pretendimet e armikut për shënjestrimin e luftëtarëve," theksoi ministri.
Sulmet izraelite detyruan mijëra libanezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Libanin jugor dhe të lëviznin drejt Bejrutit dhe veriut të vendit.
Ushtria izraelite pretendon se ka goditur më shumë se 1.100 objektiva të Hezbollahut në 24 orët e fundit në Libanin jugor dhe lindor, duke përdorur më shumë se 1.400 municione të ndryshme në rreth 650 fluturime nga avionët e saj luftarakë.