Policia izraelite ndaloi sërish palestinezët të hynin në Al-Aksa / Photo: AA

Forcat izraelite sulmuan me gaz lotsjellës dhe topa uji palestinezët në lagjen Wadi al-Joz në Kudsin Lindor të pushtuar derisa ata përpiqeshin të arrinin në xhaminë Al-Aksa për faljen e namzit të xhumasë.

Autoritetet izraelite ndaluan palestinezët të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar për të premten e 13-të radhazi, ndërsa policia izraelite pengoi gjithasshtu edhe gazetarët të mbulonin sulmin në qytetin e vjetër të pushtuar.

“Një numër i madh policësh izraelitë u vendosën në gjithë qytetin për të kufizuar qasjen e besimtarëve në xhami”, thanë dëshmitarët për Anadolu.

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza më 7 tetor, policia izraelite ka vendosur kufizime të rrepta që kanë penguar dhjetëra mijëra besimtarë të vijnë në xhaminë Al-Aksa për të falur namazin e xhumasë, namazin e përjavshëm të myslimanëve.

Dëshmitarët thanë se policia izraelite vendosi barriera në hyrjet e qytetit të vjetër dhe lejoi vetëm të moshuarit të hynin në xhaminë Al-Aksa.

Policia izraelite ngriti postblloqe në portat e jashtme të Xhamisë Al-Aksa.

Një numër i madh i forcave policore u vendosën gjithashtu në Qytetin e Vjetër, gjë që pengoi besimtarët të arrinin në xhami, thanë dëshmitarët.

Izraeli filloi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Të paktën 22.438 palestinezë janë vrarë dhe 57.614 janë plagosur në Rripin e Gazës që atëherë.

TRT Balkan / agjencitë