Organizata politike amerikane e lajmeve "Politico" e përfshiu presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në listën e "njerëzve më të fuqishëm në Evropë në vitin 2024".
"Politico" përfshiu 28 emra nga Evropa në listën e "Njerëzve më të Fuqishëm të Evropës 2024" në tri kategori të veçanta.
Në kategorinë "Zbatuesit", presidenti turk Erdoğan, i cili është cilësuar si "ndërmjetës", u rendit i pesti.
Në profilin e faqes "Politico" thuhet se Erdoğan, i cili prej kohësh po përpiqet të pozicionohet si "lider i fuqishëm gjeopolitik", i ka mbijetuar tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 2016, duke shtuar se Erdoğan "kohët e fundit ka përfituar më së shumti nga dy krizat më të mëdha gjeopolitike, lufta ruso-ukrainase dhe konflikti Izrael-Hamas".
Vëmendjen e tërheq roli i Erdoğanit në Ukrainë dhe Gaza
Shkrimi përmend se si Erdoğan, një nga njerëzit e paktë që ka lidhje me Kremlinin dhe zyrën e presidentit ukrainas, ka marrë rol ndërmjetësues që kur presidenti rus Vlladimir Putin dërgoi trupat e tij në Ukrainë në vitin 2022.
Gjithashtu, thuhet se presidenti Erdoğan ishte pionier i Marrëveshjes së Drithërave të Detit të Zi dhe u angazhua për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje.
Më tej, u theksua se Erdoğan donte të luajë edhe një herë rolin e "ndërmjetësuesit" pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe se Erdoğan diskutoi "uljen e tensioneve me presidentin izraelit Isaac Herzog, presidentin palestinez Mahmud Abbas si dhe me liderët e Egjiptit, Libanit dhe Katarit".
Erdoğan më vonë u pozicionua në anën e Palestinës, duke e quajtur Izraelin "pushtues" dhe duke thënë se "Perëndimi është fajtori kryesor për masakrën në Gaza", thuhet ndër të tjerash.
Bashkëpunimi me Erdoğanin
"Politico" thekson se presidenti turk po përpiqet të kthehet në orbitën e Bashkimit Evropian (BE) dhe shfrytëzoi procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO për të "hapëruar" në procesin e anëtarësimit të Türkiyes në BE, i cili ka stagnuar për një kohë të gjatë.
Më poshtë theksohet se aktualisht në Türkiye nuk po diskutohet rreth anëtarësimit në BE dhe shtoi: "Megjithatë, zyrtarët e BE-së po kërkojnë mënyra për të rritur bashkëpunimin me Erdoğanin. Konsideroni këtë një fitore tjetër gjeopolitike për liderin turk".
Në të njëjtën kategori, kryeministrja italiane Giorgia Meloni radhitet e para, presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen e dyta, presidenti francez Emmanuel Macron u rendit i treti dhe shefi i zyrës së presidentit ukrainas Andriy Yermak ishte i katërti.
Erdoğan pasohet nga zëvendëspresidenti i KE-së, Marosh Shefçoviç, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, e cila kontestoi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Francë, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Christine Lagarde dhe Keir Starmer, udhëheqës i opozitës kryesore Partisë Laburiste në Britani të Madhe.