Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan ka mbërritur në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në disa vende aziatike.
Erdoğan në aeroportin ushtarak "Halim Perdanakusuma", u prit nga presidenti indonezian, Prabowo Subianto, ambasadori turk në vend Talip Küçükcan dhe zyrtarë të tjerë.
Presidenti turk gjatë vizitës së tij shoqërohet nga bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, kryediplomati Hakan Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacır, ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Ibrahim Yumaklı, ministri i Tregtisë, Ömer Bolat, kreu i Industrive të Mbrojtjes, Haluk Görgün, kryetari i Këshillit Aksakallar të Organizatës së Shteteve Turke (TDT), Binali Yıldırım, kreu i Komunikimeve pranë Presidencës turke, Fahrettin Altun, shefi i Kabinetit të Presidencës, Hasan Doğan, kryekëshilltari i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç.
Pasi presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan mbërritën në hotelin ku do të qëndrojnë, pozuan për foto kujtimi dhe patën një bisedë me fëmijët indonezianë të cilët i pritën me flamuj turq dhe indonezianë në duar.
Presidenti Erdoğan, i cili nesër në Pallatin Presidencial Bogor pritet të ketë takim kokë më kokë me presidentin indonezian Subianto, pritet të marrë pjesë në Takimin e Parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe konferencën e përbashkët për media.
Gjithashtu planifikohet që Erdoğan të marrë pjesë në darkën zyrtare që presidenti indonezian Subianto do ta shtrojë për nder të tij si dhe të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Indonezi.