Presidenti i Azerbajxhanit akuzon Francën se po ndjek politikë neokoloniale.     /Foto: Reuters

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka akuzuar Francën se është një nga vendet që vazhdojnë politikën e tyre neokoloniale.

Duke folur në një takim të Lëvizjes së të Paangazhuarve në kryeqytetin Baku, Aliyev tha se presidenti francez, Emmanuel Macron, duhet t’u kërkojë falje vendeve të prekura nga kolonializmi francez.

"Kërkoni falje miliona njerëzve që paraardhësit e tij (Emmanuel Macron) i kolonizuan, i përdorën si skllevër, i vranë, i torturuan dhe i poshtëruan. Kjo nuk do të jetë vetëm pranimi i fajit historik të Francës, por gjithashtu do ta ndihmojë atë të tejkalojë pasojat e krizës së thellë politike, sociale dhe humanitare në të cilën ajo gjeti veten pas vrasjes brutale të një adoleshenti algjerian", tha Aliyev.

Presidenti azerbajxhanas gjithashtu tha se retorika raciste dhe diskriminuese po bëhet e zakonshme në Francë, përfshirë mediat.

17-vjeçari Nahel M. me origjinë algjeriane u qëllua nga një polic javën e kaluar në periferi të kryeqytetit Paris.

Pas vrasjes fatale të adoleshentit gjatë një kontrolli trafiku, protestat kanë përfshirë gjithë Francën.

Polici po përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.


AA