Presidenti kolumbian urdhëron hapjen e ambasadës në Ramallah të Palestinës / Foto: AA

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ashtu siç ka njoftuar edhe më parë, urdhëroi hapjen e ambasadës së vendit të tij në qytetin palestinez Ramallah.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Gilberto Murillo, në deklaratën e tij për media tha se ka nisur procesi për hapjen e Ambasadës Kolumbiane në Ramallah. "Presidenti Petro urdhëroi hapjen e ambasadës kolumbiane në Ramallah. Hapi ynë i radhës do të jetë në këtë drejtim", tha Murillo.

Duke kujtuar marrëveshjet e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Oslos për një zgjidhje me dy shtete, Murillo deklaroi: "Ne jemi të sigurt se gjithnjë e më shumë vende do ta njohin Palestinën dhe ky nuk është një vendim i marrë kundër Izraelit apo hebrenjve. Palestina duhet të njihet si shtet i plotë".

Murillo nuk dha datë të qartë se kur do të hapet ambasada e Kolumbisë në Ramallah të Palestinës.

Ish-presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos, e njohu Palestinën si shtet 4 ditë para përfundimit të mandatit të tij, më 3 gusht të vitit 2018. Më 3 maj Kolumbia njoftoi se ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, duke treguar si arsye sulmet e vazhdueshme kundër popullit palestinez në Gaza.

Presidenti kolumbian Petro, pas takimit me ambasadat e Izraelit dhe Palestinës në Bogota më 20 tetor 2023, njoftoi se do të hapte ambasadë në Ramallah.

AA