Presidenti rus Vlladimir Putin ndodhet në një vizitë zyrtare në Korenë e Veriut, e ai u prit në aeroportin ndërkombëtar të Phenianit nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Pas një përshëndetjeje të ngrohtë, dy liderët hipën në një makinë dhe shkuan së bashku në rezidencën Kumusan ku po qëndronte Putin.
Agjencia koreano-veriore KCNA raporton se Putin mbërriti në Phenian në një periudhë të rëndësishme kur marrëdhëniet miqësore midis Koresë së Veriut dhe Federatës Ruse janë bërë "një bastion strategjik i paqes, drejtësisë dhe sigurisë ndërkombëtare dhe një motor i një rendi të ri botëror shumëpolar".
Kjo është vizita e parë e presidentit rus Putin në Korenë e Veriut pas 24 vitesh. Putin dhe Kim u takuan për herë të fundit në shtator 2023 në rajonin rus të Siberisë Lindore.
Nën presionin e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropës për shkak të luftës në Ukrainë, Rusia ka shfaqur një tendencë për të rritur bashkëpunimin e saj ushtarak me Korenë e Veriut.
Në një deklaratë përpara se të mbërrinte në Korenë e Veriut, Putin tha se vlerësonte mbështetjen e Phenianit për operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Duke theksuar se Koreja e Veriut dhe Rusia kanë kundërshtuar me vendosmëri ambiciet e Perëndimit, Putin tha se të dy vendet do të zhvillojnë sisteme tregtare dhe pagesash që nuk janë nën kontrollin e Perëndimit dhe se do të kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve të njëanshme të paligjshme kundër shteteve.