ShBA-ja e shqetësuar nga bashkëpunimi mes Koresë së Veriut dhe Rusisë / Foto: Reuters

Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së për Komunikimet Strategjike John Kirby tha se janë të "shqetësuar" nga bashkëpunimi i mbrojtjes që rritet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Kirby në një konferencë për media tha se nuk e dinë rezultatin e plotë të takimit mes liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe presidentit të Rusisë Vlladimir Putin. Ai theksoi se Moska është përpjekur të nënshkruajë marrëveshje të mundshme armësh me Phenianin.

"Ashtu sikurse e kemi thënë edhe më parë për marrëdhëniet e mbrojtjes që u zhvilluan mes Iranit dhe Rusisë, ne kemi shqetësime edhe lidhur me bashkëpunimin e mbrojtjes që zhvillohet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë", deklaroi Kirby.

Ai vuri në dukje se dhënia e mbështetjes nga Rusia për programet e paligjshme bërthamore dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut, do të jetë "burim i një shqetësimi të rëndësishëm".

Kirby tërhoqi vëmendjen se me këtë bashkëpunim mes dy vendeve, Koreja e Veriut mund të zhvillojë kapacitetin e saj ushtarak. "Në rast se dy vendet arrijnë marrëveshje për armët", tha Kirby, ata do të "interesohen në mënyrë të përshtatshme për këtë".

Putin u takua dje me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un në bazën hapësinore "Vostonchny" në rajonin Amur të Rusisë. Në deklaratën para takimit, Kim tha se dëshirojnë të zhvillojnë më tej marrëdhëniet me Rusinë dhe shtoi se kanë mbështetur gjithmonë vendimet e Putinit dhe qeverisë ruse.

Gjithashtu edhe Putin takimin me Kim e cilësoi si të "frytshëm" dhe theksoi se kanë shkëmbyer mendimet për situatën në rajon dhe çështjen e marrëdhënieve dypalëshe.

AA