Pretendime të rreme se Erdoğan ka ndërhyrë në formimin e qeverisë në BeH /                 Foto: AA

Pretendimet e bëra së fundi nga disa media të Bosnjës e Hercegovinës se "Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka ndërhyrë në procesin e vendosjes së pushtetit" nuk janë të vërteta, njoftoi Qendra për Luftimin e Dezinformimit e Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes.

"Türkiye, në kuadrin e respektimit të sovranitetit, integritetit territorial dhe strukturës multietnike të Bosnjë e Hercegovinës, kontribuon në hapat e ndërmarrë duke ndjekur procesin e reformave të Bosnjë e Hercegovinës dhe mbështet integrimin e vendit në institucionet evropiane dhe euroatlantike (BE dhe NATO)”, thuhet në njoftim.

Qendra për Luftimin e Dezinformimit kujton më tej se Türkiye është anëtare e Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes, ndërsa me pjesëmarrjen e saj në misionin EUFOR-Althea, kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon.

"Presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan thekson në çdo rast se vendimet në vend duhet të merren përmes proceseve demokratike dhe se ndërhyrjet në kundërshtim me parimet demokratike nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë. Pretendimet për qëndrimin e kundërt të Türkiyes janë të pabaza", thuhet në komunikatën e Qendrës.

Disa media lokale në BeH kanë raportuar së fundmi se presidenti turk dyshohet se ka ndërhyrë me disa përfaqësues politikë në lidhje me procesin e ardhshëm të rindërtimit të qeverisë në nivel shtetëror.

TRT Balkan / agjencitë