Një gazetar dhe prezantues i njohur pakistanez, Arshad Sharif, u qëllua për vdekje nga sulmues të panjohur në kryeqytetin e Kenias Nairobi, njoftuan familja e tij dhe media lokale të hënën.
“Kam humbur mikun, burrin dhe gazetarin tim të preferuar @arsched sot, sipas policisë ai u qëllua në Kenia,” tha gruaja e tij Javeria Siddique në Twitter.
“Respektoni privatësinë tonë dhe në emër të dhimbjes sonë, mos i shpërndani fotot tona familjare, detajet personale dhe fotot e tij të fundit nga spitali. Na kujtoni në lutjet tuaja”, shtoi ajo.
“Vdekja e Arshad Sharif është një humbje e madhe për gazetarinë dhe Pakistanin. Shpirti i tij pushoftë në paqe dhe familja e tij, e cila përfshin ndjekësit e tij, të ketë forcën për të përballuar këtë humbje”, shkroi presidenti Arif Alvi në Twitter.
Sharif punoi për të përditshmen lokale angleze Dawn dhe më vonë drejtoi një shfaqje të njohur politike në ARY News, një transmetues lokal, për disa vite.
Nuk kishte detaje të mëtejshme për mbërritjen e tij në Nairobi ose rrethanat që çuan në vrasjen e tij.
Policia keniane po heton incidentin, raportoi ARY News.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Asim Iftikhar tha se Komisioni i Lartë i Pakistanit në Keni ishte në kontakt me autoritetet keniane.
Sharif ishte larguar nga vendi fillimisht për në Dubai dhe më vonë në Londër në gusht, pasi kanali i tij u nda me të, pa përmendur ndonjë arsye specifike, pas rrëzimit të ish-kryeministrit Imran Khan nëpërmjet një votimi mosbesimi në prill.
Sharif së bashku me zyrtarë të tjerë të ARY-së u akuzuan për rebelim lidhur me një intervistë të diskutueshme me Shahbaz Gill, udhëheqësin e partisë Pakistani Tehreek-e-Insaf të Khanit, e cila u transmetua në kanal në gusht. Gill më vonë u arrestua dhe u lirua me kusht.
Sharif dihej se ishte një mbështetës i vendosur i ish-kryeministrit dhe kritikoi hapur rolin e supozuar të institucioneve shtetërore në rrëzimin e tij.