Ndërprerja e madhe globale e IT-së ka prekur "disa shërbime IT" të Lojërave Olimpike "Paris 2024", një javë para ceremonisë së hapjes së lojërave.
"Çështjet teknike globale që prekën softuerin e Microsoftit kanë prekur disa nga shërbimet e IT-së të 'Paris 2024'. Në këtë pikë, ndikimet janë të kufizuara dhe kanë të bëjnë veçanërisht me shpërndarjen e uniformave dhe akreditimeve. Ekipet tona janë mobilizuar plotësisht për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve në nivel maksimal", thuhet në deklaratën e "Paris 2024".
Deklarata thekson se sistemet e biletave të Lojërave Olimpike Verore kanë qenë "të paprekura".
"Operacionet rreth përgatitjes së ambienteve po vazhdojnë normalisht dhe oraret e punës nuk janë në rrezik", thuhet më tej.
"Stafeta e Pishtarit po vazhdon përgjatë rrugës së saj normalisht, me pjesën e sotme që zhvillohet në Val D'Oise", shtuan organizatorët.
Val D'Oise është një rajon në veri të Parisit.
Shërbimet në mbarë botën, nga linjat ajrore te bankat, thuhet se po përballen me ndërprerje për shkak të një sërë defektesh teknike në platformat e bazuara në Microsoft.
Troy Hunt, drejtor rajonal në Microsoft, postoi në X se çështja nuk është "ndërprerje e Microsoftit", por është çështje "CrowdStrike" që ndikon në kompjuterët e Microsoftit.
Microsoft ka thënë në X se shërbimet e tij po shënojnë përmirësime të vazhdueshme ndërkohë që vazhdon të ndërmarrë veprime për zgjidhjen e problemit.
"Paris 2024" do të mbahet nga 26 korriku deri më 11 gusht.