Pjesëmarrësit e "Varganit të Lirisë për Palestinën", i cili u nis nga Istanbuli në fillim të kësaj jave të organizuar nga Fondacioni Turk i Ndihmës Humanitare (IHH), mbajtën një protestë të madhe propalestineze të dielën përpara bazës ajrore Incirlik në qytetin jugor të Adanit, ku janë vendosur një numër i trupave amerikane.
Mijëra përfaqësues dhe anëtarë të grupeve të shoqërisë civile nga qytete të ndryshme turke, si dhe qytetarë që mbështesin kolonën, u mblodhën përpara bazës ajrore ku ndodhet komanda e Krahut të 39-të Ajror të Forcave Ajrore Amerikane.
Grupi, duke mbajtur flamuj turq dhe palestinezë, brohoritën parulla kundër Izraelit dhe ShBA-së, si shenjë proteste kundër sulmeve në Gaza. Policia ndërhyri kur disa protestues depërtuan barrikadat duke u përpjekur të hynin në bazën ajrore.
Bulent Yildirim, kreu i grupit, tha gjatë fjalimit se ka pasur protesta kundër sulmit në Gaza në gjithë Evropën dhe ShBA-në, duke shtuar se shpreson të ketë më shumë demonstrata të tilla.
Yildirim paralajmëroi protestuesit që të përmbahen nga përpjekjet për të hyrë në bazë.
"Mos u përplasni me policinë. Policia është e shqetësuar për Gazën sa edhe ju," tha ai.
Para dhe gjatë tubimit, disa protestues tentuan të hyjnë në Incirlik duke hedhur gurë, shishe dhe mjete piroteknike. Policia ka tentuar t'i bllokojë me ujë dhe gaz lotsjellës.
Yildirim ishte një nga ata që u goditën nga gazi lotsjellës.
Pas leximit të njoftimit për shtyp, disa protestues të grupit u larguan nga zona, ndërsa të tjerë vazhduan të protestojnë.
Një kolonë prej 250 automjetesh të dekoruara me flamuj turq dhe palestinezë u nis për në bazën ajrore të Incirlik dy ditë më parë. Rrugës për në bazë u organizuan aktivitete edhe në qytete të tjera.