Putin pret integrimin e paktit AUKUS-it në NATO.     /Foto: Reuters

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, deklaroi se nuk përjashton mundësinë e integrimit të grupimit AUKUS në aleancën ushtarake të NATO-s për dominimin perëndimor në rajonin e Azi-Paqësorit.

Duke iu drejtuar Konferencës së 11-të të Sigurisë Ndërkombëtare të Moskës përmes video-lidhjes, Putin tha se vendet perëndimore janë kundër formimit të një bote shumëpolare nëpërmjet konflikteve të vjetra, ose duke provokuar konflikte të reja për të parandaluar daljen e qendrave të reja të pushtetit.

"Qëllimi i atyre që e bëjnë këtë është i qartë: të vazhdojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore, të nxisin popujt kundër njëri-tjetrit, të detyrojnë shtetet në bindje vasale brenda kornizës së sistemit neokolonial dhe të shfrytëzojnë pa mëshirë burimet e tyre", tha ai.

Anëtarët e NATO-s vazhdojnë të zhvillojnë potencial të ri sulmues, ndërkohë që shkatërrojnë sistemin ekzistues të kontrollit të armëve, zgjerojnë zonën e konfrontimit, e zhvendosin atë në hapësirën dhe fushën digjitale dhe përdorin mjete ushtarake dhe joushtarake të presionit, deklaroi Putin.

Ai argumentoi se ShBA-ja kërkon të reformojë sistemin e ndërveprimit ndërshtetëror që është zhvilluar në rajonin Azi-Paqësor për të zgjeruar kontrollin e saj mbi rajonin.

"Promovimi i të ashtuquajturave strategji Indo-Paqësore synon krijimin e shoqatave ushtarako-politike të kontrolluara nga Washingtoni. Nuk përjashtojmë që ato të çojnë në integrimin e plotë të forcave të NATO-s me strukturat e bllokut AUKUS që po krijohen", tha ndër të tjerash ai.

Më 15 shtator 2021, ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia njoftuan formimin e AUKUS-it, një pakt trepalësh sigurie, sipas të cilit Canberra do të bëhet me nëndetëse me energji bërthamore.

Putin tha se konfliktet në botë, duke përfshirë Malin dhe Ukrainën, "origjinën e kanë nga aventurat gjeopolitike, veprimet egoiste dhe neokoloniale të Perëndimit".

Presidenti rus, megjithatë, theksoi se komuniteti ndërkombëtar mund të zvogëlojë konfrontimin në nivel global dhe rajonal, të neutralizojë sfidat dhe rreziqet dhe të forcojë besimin.

"Ne kemi qenë dhe mbetemi mbështetës të vendosur të një rendi botëror shumëpolar të bazuar në përparësinë e normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe barazisë së shteteve, bashkëpunimit krijues dhe besimit", theksoi ai.

TRT Balkan / agjencitë