Presidenti rus Vlladimir Putin tha se vendi i tij ndihmoi në evakuimin e katër mijë "luftëtarëve iranianë" nga Siria, ku u rrëzua regjimi 61-vjeçar i Partisë Baath pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damask në fillim të këtij muaji.
"Nëse më herët, për shembull, miqtë tanë iranianë na kërkuan t'i ndihmonim t'i transferonin njësitë e tyre në territorin sirian, tani ata na kërkuan që t'i tërhiqnim nga atje. Ne kthyem 4.000 luftëtarë iranianë në Teheran. Nga baza Khmeimim", tha Putin gjatë konferencës së tij vjetore për media në Moskë.
Presidenti rus tha se rreth 30 mijë njerëz ishin duke mbrojtur Halepin kur 350 persona nga grupet kundër regjimit iu afruan qytetit në fund të muajit të kaluar.
"Trupat qeveritare së bashku të ashtuquajturat njësi pro-iraniane, u tërhoqën pa luftë, shpërthyen pozicionet e tyre dhe u larguan", tha ai.
Duke komentuar nëse Rusia do të largohet nga bazat e saj në Siri, Putin tha se nuk e di ende këtë. "Ne duhet të vendosim vetë se si do të zhvillohen marrëdhëniet tona me ato forca politike që tani kanë marrë kontrollin dhe do të kontrollojnë situatën në këtë vend në të ardhmen. Interesat tona duhet të përputhen", tha ai.
Ai ofroi gjithashtu përdorimin e bazave të Moskës në Khmeimim dhe Tartus për dërgimin e ndihmave humanitare.
Putin tha gjithashtu se nuk ka folur me liderin e rrëzuar të regjimit sirian Bashar Asad që kur ai u largua dhe iu dha azil në Rusi.