Putra dhe paqe: Banorët e Gazës mirëpresin kafenenë e parë të maceve.     /Foto: AP

Trendi global i kafeneve të maceve, ku njerëzit paguajnë për të pirë kafe dhe për të kaluar kohë me macet, më në fund ka arritur në Gaza.

Në enklavën e varfër palestineze të gjymtuar nga bllokada 17-vjeçare, banorët që kërkonin të shpëtonin nga problemet e territorit u dyndën në kafenenë e re Meow – si përgjigjje e qytetarëve të Gazës ndaj këtij koncepti të çuditshëm të provuar me sukses në mbarë botën.

Themeluesja e kafenesë, 52-vjeçarja Naema Mabed, tha se ajo e përfytyronte këtë lokal si një arratisje unike nga presionet e jetës në Gaza – me mungesën e opsioneve rekreative, një shkallë të papunësisë tek të rinjtë mbi 60 për qind dhe raunde të shpeshta konfliktesh me Izraeli që nga viti 2007.

Në dhomën komode, Mabed ofron një shërbim modest të pijeve dhe i inkurajon mysafirët të shkojnë drejt e në këndin e maceve për të përkëdhelur dhe luajtur me miqtë e “mbuluar me qime”. Rregullat e hyrjes janë të thjeshta: Vizitorët duhet të mbulojnë këpucët e tyre me plastikë dhe të lajnë duart përpara se të përkëdhelin macet.

“Kam kaluar jetën time duke rritur mace, dhe ato janë një burim gëzimi dhe qetësie, një çlirim i presioneve”, i tha Mabed agjencisë së lajmeve Associated Press, ndërsa macet bredhnin rreth saj. Ajo e përshkroi bashkësinë e maceve si “antidepresiv botëror.”

Klientët e saj duket se janë dakord. Ata dukeshin plot energji teksa luanin dhe rrinin me 10 macet në këtë vend, duke përfshirë disa mace të quajtura Tom, Dot, Simba dhe Phoenix. Disa të ftuar ishin të qetë ndërsa zhyten në praninë qetësuese të maceve.

Macet nuk janë të adoptueshme, thotë Mabed, e cila është e lidhur fort me macet.

“Ndjesia, sinqerisht, është se vjen këtu për të ndjerë rehatinë psikologjike të maceve”, tha 23-vjeçari Eman Omar, i cili kishte paguar tarifën e hyrjes prej 5 sikla izraelite (1,30 dollarë) për të kaluar gjysmë ore duke luajtur me macet. “Gjithçka është e bukur!”

Një terapi për Gazanët e shkatërruar nga lufta

Ekspertët thanë se kafeneja është shumë më tepër sesa kënaqja e maceve dhe u jep vizitorëve një shans për të bërë selfie të mirë.

Psikologu Bahzad al Akhras tha se në vende si Gaza, streha të tilla mund të shërbejnë si terapi për ata që kanë mbetur të lënduar nga luftërat shkatërruese të Gazës dhe vështirësitë e tjera.

“Çdo vend që u ofron njerëzve një lloj ndërveprimi me kafshët ka një ndikim pozitiv psikologjik”, tha el-Akhras.

Nuk ishte e lehtë për Mabedin të sillte trendin e kafenesë së maceve në Gaza. Hapja e dyqanit në enklavë paraqiti një sërë sfidash – jo vetëm financiare. Ideja për të paguar për t’u shoqëruar me macet kur macet endacakë bredhin të lirë në rrugët e qytetit të Gazës çdo ditë, për disa banorë ishte qesharake.

Por, për dashamirët e maceve që përballen me kufizime të udhëtimit për shkak të bllokadës izraelito-egjiptiane dhe mund të mos e përjetojnë trendin jashtëzakonisht të famshëm diku tjetër, përvoja ishte një lumturi e pastër.

“Nëse je një dashamirë i maceve, ky është vendi i duhur,” tha Omar, një klienti i kafenesë. “Nëse nuk i doni macet, do të ndjeni një dëshirë për t’i dashur ato.”

TRT Balkan / agjencitë