Qeveria australiane po ‘luan një lojë faji’ pasi i refuzoi vizën kreut të Federatës Palestineze të Futbollit.
“Këto vendime merren nga organet, nga Departamenti i Emigracionit”, u shpreh kryeministri australian Anthony Albanese, duke iu referuar refuzimit të vizës për Jibril Rajoub.
Skuadra palestineze arriti në Perth të shtunën, por pa Jibril Rajoub, i cili është gjithashtu një politikan dhe kryeson Komitetin Olimpik të Palestinës.
Vizitorët do të luajnë me mikpritësit të martën në Perth, raportoi të hënën SBS News.
Autoritetet në Football Australia thanë se "Vendimi ishte një çështje e qeverisë dhe organizata ofron mbështetje për viza për të gjitha delegacionet vizitore të futbollit."
"Të gjithë joshtetasit që aplikojnë për viza konsiderohen në baza individuale kundër legjislacionit të migracionit", deklaroi Departamenti i Punëve të Brendshme të Australisë.
Më herët në mars, qeveria australiane kishte anuluar vizat për palestinezët që iknin nga Gaza.
Ndërkaq, policia të dielën përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstratat propalestineze në qytetin e Melburnit.
Njerëzit në vend kanë mbajtur demonstrata kundër mbështetjes së Australisë dhe furnizimeve me armë në Tel Aviv, si dhe kundër luftës së Izraelit në Gaza.
Të paktën dy studentë u përjashtuan nga Universiteti Kombëtar Australian dhe 10 të tjerë u disiplinuan për shkak të protestave propalestineze dhe deklaratave në kampus.
Qeveria e Anthony Albanese është përballur me kritika të ashpra për qëndrimin e saj ndaj Palestinës, me thirrjet që i bëhet Kanberrës që t'u japë fund furnizimeve me armë për Izraelin.