Raport nga Londra: Shqiptarët nuk kanë nevojë për azil në Britani.  / Foto: AA

Një raport i publikuar të hënën nga Komiteti i Çështjeve të Brendshme të Britanisë së Madhe ka bërë të ditur se nuk është e vërtetë që një numër i konsiderueshëm i shtetasve shqiptarë janë në rrezik në vendin e tyre dhe duhet të kërkojnë azil në Britani.

Komiteti ndërpartiak i anëtarëve të parlamentit, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e punës së Zyrës së Brendshme dhe organeve të lidhura me të tha se shqiptarët janë të sigurt në vendin e tyre, me përjashtime.

Raporti vuri në dukje se disa shtetas shqiptarë që kërkojnë azil “do të jenë trafikuar, kurse gratë janë në rrezik në mënyrë disproporcionale nga kjo formë krimi”.

Mbështetja e viktimave të trafikimit është detyrim për qeverinë, tha komiteti, duke shtuar se këta njerëz duhet të kthehen në Shqipëri vetëm nëse ekzistojnë masat e duhura mbrojtëse.

Duke kujtuar se më shumë se një e katërta e 45.755 njerëzve që kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla vitin e kaluar erdhën nga Shqipëria, raporti tha se kjo ishte një rritje nga 800 në 12.301, që ishte “e papritur dhe e pashpjegueshme”.

“Shqipëria është një vend i sigurt. Ajo nuk është në luftë dhe është vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nuk ka asnjë bazë të qartë që Mbretëria e Bashkuar të pranojë në mënyrë rutinore mijëra kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë”, theksohet në raport.

“Qeveria duhet të përmirësojë shpejtësinë e vendimmarrjes”

Deri në qershor 2022, 51 për qind e kërkesave për azil nga Shqipëria u pranuan fillimisht, thuhet në raport, gjë që ishte një numër “shumë më i lartë se shumë vende të krahasueshme evropiane”.

“Nëntë vende, duke përfshirë Gjermaninë, nuk pranuan asnjë kërkesë për azil nga Shqipëria. Zyra e Brendshme duhet të shpjegojë pse shkalla e pranimit në Mbretërinë e Bashkuar ishte kaq e lartë, veçanërisht në krahasim me vendet e tjera”, thuhet më tej.

Duke përmendur arsyet e numrit të lartë të shqiptarëve të gatshëm për të kërkuar azil në Britani, komiteti tha se shtytës kryesor i migrimit nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar është ai ekonomik.

Duke vënë në dukje se vetëm 325 viza pune iu dhanë shtetasve shqiptarë në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, raporti tregon se vështirësitë për të gjetur punë në Britani nëpërmjet mjeteve ligjore “mund t’i shtyjnë njerëzit drejt rrugëve klandestine të migrimit”.

Kryetarja e Komitetit të Çështjeve të Brendshme, Dame Diana Johnson, tha se qeveria “duhet të përmirësojë” shpejtësinë e vendimmarrjes dhe “të pastrojë punën e mbetur”, siç e parashtroi komiteti në raportin e tij të Kalimeve në Kanal në vitin 2022.

“Ne presim që Zyra e Brendshme të përcaktojë se si planifikon ta arrijë këtë”, shtoi Johnson.

Në prill, qeveria britanike njoftoi se mbi 1.000 shtetas shqiptarë janë kthyer që nga nënshkrimi i një komunikate të përbashkët Britani-Shqipëri për trajtimin e migracionit të paligjshëm më 13 dhjetor.

TRT Balkan / agjencitë