Rekord i emigrantëve kaluan përmes kanalit La Mansh.     Foto: Reuters

Numri i emigrantëve të cilët e kanë kaluar kanalin La Mansh drejtë Britanisë së Madhe gjatë vitit 2022 pothuajse është dyfishuar. Të dhënat zyrtare të ministrisë së Mbrojtjës të Britanisë së Madhe, flasin se 45.756 emigrantë kaluan rrugën e rrezikshme detare në vitin 2022. Ndërkohë, gjatë vitit 2021 kjo shifër ishtë diçka më e madhe se 28.500 emigrantë.

Në përditësimin e saj të fundit të martën, ministria tha se 44 emigrantë në një varkë të vogël u zbuluan ndërsa kalonin pëemes kanalit.

Kjo shënoi kalimin e parë të migrantëve të parregullt në Kanal këtë vit, pasi përditësimi më i fundit javor nga Ministria e Mbrojtjes regjistroi një varkë të vogël që kalonte Kanalin nga 26 dhjetori deri më 1 janar.

Emigrantët vitin e shkuar kanalin La Mansh kryesisht e kaluan gjatë verës dhe dita rekord ishte 22 gushti, me 1.295 emigrantë që kaluan atë rrugë në 24 orë.

Kalimet vazhduan në dimër dhe në dhjetor kishte 1.745 mbërritje.

Dhjetori ishte një muaj vdekjeprurës pasi katër emigrantë vdiqën më 14 dhjetor kur gomonia e tyre u fundos. Sipas elementeve të para të hetimit, shtetas afganë dhe senegalezë kanë humbur jetën dhe numri i viktimave mund të ishte më i madh nëse një anije peshkimi që shpëtoi 39 emigrantë të tjerë nuk do të ndodhte aty pranë.

Një tragjedi më e madhe ndodhi në vitin 2021, konkretisht në natën e 24 nëntorit, kur 27 emigrantë të moshës shtatë deri në 46 vjeç u mbytën, gjithashtu në një aksident me gomone.

Pjesë e këtyre emigrantëve janë edhe shumë shtetas shqiptarë. Emigrimi nga Shqipëria drejt Anglisë përmes kanalit La Mansh ka shkaktuar debate të shumta brenda dy shteteve. Vitin e kaluar në Tiranë janë deportuar disa grupe të shtetasve shqiptarë nga Britania e Madhe.

Çështja e ardhjeve të paligjshme nga Franca përmes kanalit La Mansh është jashtëzakonisht e ndjeshme për konservatorët britanikë, të cilët që nga dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, premtojnë "të marrin kontrollin e kufijve", por pavarësisht planeve të ndryshme, numri i të ardhurve vazhdon të rritet që nga Brexit e deri më sot.

Në prill të vitit të kaluar, Londra arriti një marrëveshje me Ruandën për të deportuar emigrantët e paligjshëm në vendin afrikan sapo të mbërrijnë në MB përpara se autoritetet të shqyrtojnë kërkesën e tyre për azil.

Kjo marrëveshje, e cila u kritikua nga OKB-ja, Kisha Anglikane dhe organizata të shumta, është përkohësisht jashtë fuqisë në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por qeveria dëshiron ta fillojë atë që kur Gjykata e Lartë në Londër dhjetë ditë më parë gjykoi të jetë “e ligjshme”.

Londra në vitin 2022 nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Francën për forcimin e kontrollit, ashtu si edhe me Shqipërinë, qytetarët e së cilës po vinin në Britani në vitin 2022 në një numër shumë të madh.

TRT Balkan / agjencitë