Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian (BE), ka bërë të ditur se rreth 9,5 për qind e popullsisë së bllokut evropian, çdo të dytën ditë të vitit të kaluar, nuk ishin në gjendje të përballojnë një vakt që përmban mish, peshk ose një ekuivalent vegjetarian.
Autoriteti statistikor i bllokut prej 27 anëtarësh, tha se kjo shifër ishte 1,2 pikë përqind më e lartë krahasuar me normën 8,3 të vitit 2022.
"Për më tepër, duke u fokusuar tek personat në rrezik të varfërisë në vitin 2023, pjesa në nivel të BE-së ishte 22,3 për qind", tha Eurostat, duke theksuar se kjo shifër gjithashtu u rrit me 2,6 pikë përqindje në baza vjetore.
Përqindja më e lartë e njerëzve në rrezik të varfërisë të paaftë për të përballuar ushqimin e duhur ishte në Sllovaki, me 45 për qind, ndjekur nga Hungaria me 44,9 për qind dhe Bullgaria me 40,2 për qind.
Nga ana tjetër, përqindja më e ulët u regjistrua në Irlandë me 4,2 për qind, e ndjekur nga administrata e Qipros Greke me 5 për qind dhe Portugalia me 5,9 për qind.