Sabotimi është shkaku më i mundshëm i rrjedhjeve në dy tubacionet e gazit të Detit Baltik midis Rusisë dhe Evropës, thanë liderët evropianë, pasi sizmologët raportuan shpërthime rreth tubacioneve Nord Stream.
BE-ja konsideron se rrjedhjet “nuk janë një rastësi”, me indikacione se ato ishin “një akt i qëllimshëm”, tha të mërkurën shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell, duke bërë thirrje për një hetim.
“Çdo ndërprerje e qëllimshme e infrastrukturës energjetike evropiane është krejtësisht e papranueshme dhe do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar,” paralajmëroi ai në një deklaratë, një ditë pasi edhe shefja e BE-së Ursula Von der Leyen tha se “sabotimi” shkaktoi rrjedhjet.
Tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 kanë qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike në muajt e fundit pasi Rusia ndërpreu furnizimet me gaz në Evropë si hakmarrje e dyshuar kundër sanksioneve perëndimore pas ofensivës së saj ushtarake kundër Ukrainës.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen theksoi se bëhet fjalë“akte të qëllimshme”, duke thënë: “Nuk po flasim për një aksident”.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se rrjedhjet ishin një akt sabotimi që “ndoshta shënon hapin e ardhshëm të përshkallëzimit të situatës në Ukrainë”.
Edhe kryeministrja në largim e Suedisë Magdalena Andersson tha se “ka pasur shpërthime”, megjithëse Ministrja e Jashtme Ann Linde tha se ata nuk do të “spekulonin mbi motive ose aktorë”.
Kopenhaga pret që rrjedhjet në tubacionet, të cilat janë plot me gaz, por jo funksionale, të zgjasin “të paktën një javë” - derisa metani që del nga tubat nënujorë të mbarojë.
Ashtu si Danimarka, qeveria suedeze tha se nuk e konsideron këtë si një akt agresioni ndaj saj, duke qenë se ngjarjet ndodhën jashtë ujërave territoriale të saj, në zonat ekskluzive ekonomike.
Dy “lëshime masive të energjisë” u regjistruan nga Rrjeti Kombëtar Sizmik Suedez pak para rrjedhjes së gazit pranë vendndodhjeve të tyre në brigjet e ishullit danez të Bornholm, tha për agjencinë e lajmeve AFP sizmologu i Universitetit të Uppsala, Peter Schmidt.
“Me lirimet kaq të mëdha të energjisë, nuk ka asgjë tjetër përveç një shpërthimi që mund ta shkaktojë atë,” shtoi ai.
Rrjedhje jashtëzakonisht e rrallë
Rusia tha më herët se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për rrjedhjet.
I pyetur nga gazetarët nëse mund të jetë një akt sabotimi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se për momentin “është e pamundur të përjashtohet ndonjë opsion”.
Por, Ukraina tha se nuk ishte asgjë më shumë se një sulm terrorist i planifikuar nga Rusia dhe një akt agresioni ndaj BE-së.
Tubacionet operohen nga një konsorcium me shumicë në pronësi të firmës ruse të gazit Gazprom.
Njëra nga rrjedhjet në Nord Stream 1 ndodhi në zonën ekonomike daneze dhe tjetra në zonën ekonomike suedeze, ndërsa rrjedhja e Nord Stream 2 ishte në zonën ekonomike daneze.
Një rrjedhje u raportua për herë të parë në Nord Stream 2 të hënën.
Dy anije ushtarake daneze janë dërguar në zonë, ndërsa qeveria suedeze thirri një takim urgjent të martën.
Paralajmërimet e lundrimit janë lëshuar për një distancë prej pesë miljesh detare dhe një lartësi fluturimi prej 1.000 metrash rreth rrjedhjeve të Detit Baltik.
“Rrjedhjet e tubacionit të gazit janë jashtëzakonisht të rralla dhe si rrjedhojë shohim një arsye më shumë për të rritur nivelin e gatishmërisë pas incidenteve për të cilat jemi dëshmitarë në këto 24 orët e fundit”, tha drejtori i Agjencisë Daneze të Energjisë, Kristoffer Bottzauw.
Një zëdhënës i Nord Stream i tha agjencisë së lajmeve AFP se nuk kishin qenë në gjendje të vlerësonin dëmin, por pranoi se “një incident ku tri tubacione përjetojnë vështirësi në të njëjtën kohë në të njëjtën ditë nuk është i zakonshëm”.
I ndërtuar paralelisht me gazsjellësin Nord Stream 1, Nord Stream 2 synonte të dyfishonte kapacitetin për importet e gazit rus në Gjermani. Por, Berlini bllokoi Nord Stream 2 të sapopërfunduar në ditët para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë.
Sikorski falënderon SHBA-në për dëmtimin e "Rrjedhës Veriore"
Anëtari i Parlamentit Evropian dhe njëherësh ish-ministër i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, aludoi se SHBA-ja qëllimisht kishte shkaktuar dëme në tubacionin e gazit Rrjedha Veriore (Nord Stream).
Sikorski në Twitter ndau një fotografi të rrjedhjes së gazit, duke thënë "Faleminderit, SHBA".
Ai komentoi se nuk ka mungesë të tubacionit për të transferuar gazin nga Rusia në Evropën Perëndimore, përfshirë Gjermaninë.
Ukraina dhe të gjitha shtetet me dalje në Detit Baltik, sipas tij e kanë kundërshtuar ndërtimin e Rrjedhës Veriore për 20 vjet
"Logjika e vetme e Rrjedhës Veriore ishte që Putini të mund të shantazhonte ose të bënte luftë në Evropën Lindore pa u ndëshkuar", shkruan Sikorski dhe shton se ani 20 miliardë dollarë skrap metali shtrihet në fund të detit, një tjetër kosto për Rusinë për shkak të vendimit të saj kriminal për të pushtuar Ukrainën.
28 Sht 2022
Rritet dyshimi për sabotim pas raportimeve për shpërthimin e Nord Stream
Sizmologët regjistrojnë dy “lëshime masive të energjisë” pak para rrjedhjeve në tubacionet e gazit Rusi-Evropë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së pohon se është “akt të qëllimshëm”.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
I zgjedhuri i Trumpit për shef të drejtësisë tërhiqet nga nominimi
Gaetz ishte në Kongresin Amerikan të mërkurën për t’u ulur me senatorët që ishin kyç për konfirmimin e tij për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë por pranoi se emërimi i tij është bërë një “shpërqendrim” për ekipin e tranzicionit të Trumpit.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore