Udhëheqësit kryesorë të Komunitetit Politik Evropian, një platformë bashkëpunimi panevropiane e iniciuar nga Bashkimi Evropian, do të takohen sot në qytetin spanjoll të Granada.
Krerët e shteteve dhe qeverive nga kontinenti evropian do të diskutojnë çështje strategjike me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë dhe luftën në Ukrainë.
47 liderë janë ftuar në takim, duke përfshirë liderë nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Britania e Madhe, Zvicra dhe Ukraina.
Ata do të trajtojnë krizat më emergjente ndërkombëtare si lufta e Rusisë në Ukrainë dhe situata në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i BE-së duke folur në kushte anonimiteti.
Gjithashtu, ndër temat që do të diskutohen janë edhe e ardhmja e BE-së, digjitalizimi, tranzicioni i gjelbër i ekonomisë dhe çështjet e energjisë.
Ky do të jetë takimi i tretë i Komunitetit Politik Evropian, i cili u iniciua në tetor 2022 në kryeqytetin çek Pragë me qëllim të nxitjes së dialogut midis vendeve evropiane dhe për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit.
Takimi i parë i këtij formati u zhvillua në Pragë më 6 tetor 2022, kurse samiti i dytë u mbajt në Bulboaca të Moldavisë, më 1 qershor të këtij viti.
Në margjinat e takimit të fundit, zyrtarët e BE-së kanë përgatitur bisedime pesëpalëshe midis udhëheqësve më të lartë të Azerbajxhanit, Armenisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së për të ndërmjetësuar konfliktin azerbajxhano-armen.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev vendosi të mërkurën të anulojë pjesëmarrjen e tij në takim pasi organizatorët refuzuan përfshirjen e Türkiyes në bisedime, ndërsa zyrtarët e nivelit të lartë francez bënë komente të njëanshme në mbështetje të Armenisë, sipas raporteve të mediave azerbajxhanse.
Në të njëjtën kohë, Aliyev tha se është i hapur për vazhdimin e bisedimeve brenda formatit Armeni-Azerbajxhan-BE.
Të premten, 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të mblidhen për të vlerësuar sfidat aktuale, përfshirë migrimin, dhe për të përgatitur agjendën strategjike pesëvjeçare të bllokut.
“Granada, është koha që të shohim prapa dhe të vlerësojmë në mënyrë kritike progresin në forcimin e sovranitetit tonë evropian, duke identifikuar arritjet tona si dhe fushat që ende kërkojnë veprimin tonë politik”, shkruan në letrën e ftesës së liderëve nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Diskutimet do të synojnë të rrisin autonominë strategjike të BE-së dhe ta bëjnë atë më të fortë dhe më konkurrues mes sfidave ndërkombëtare, thuhet në letër.
Nikoqir i ngjarjes është Spanja, e cila mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian në korrik.