Zjarret në Hawaii deri më tani kanë marrë jetën e 53 personave ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të pagjeturit.
Gjithsej gjashtë zjarre janë aktive në Big Island dhe Maui, ku ka ndodhur pjesa më e madhe e shkatërrimit që nga shpërthimi i zjarreve të martën. Gati 1.700 shtëpi dhe ndërtesa janë shkatërruar dhe mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e rrezikshme.
"Jill dhe unë shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që humbën të dashurit në zjarret në Maui dhe lutjet tona janë me ata që ju janë shkatërruar shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre", tha presidenti i ShBA-së Joe Biden në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Biden ka miratuar shpalljen e fatkeqësisë për të ndihmuar në përgjigjen emergjente dhe përpjekjet e rimëkëmbjes.
Roja Bregdetare e ShBA-së ka shpëtuar më shumë se 10 persona që u hodhën në oqean për t'u shpëtuar zjarreve ndërsa Garda Kombëtare e Hawaiit u angazhua për të ndihmuar zjarrfikësit dhe personelin tjetër të urgjencës.
"Ne u jemi mirënjohës zjarrfikësve të guximshëm që vazhdojnë të vrapojnë drejt rrezikut, duke e vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë. Kam urdhëruar të gjitha asetet federale në dispozicion në ishuj për të ndihmuar", tha Biden.
Erërat e fuqishme 96 kilometra në orë nga uragani "Dora" në Oqeanin Paqësor kanë përhapur me hov flakët shkatërruese.
Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, tha më herët të enjten se priste që numri i të vdekurve të rritet "dukshëm" nga sa ishin numruar më parë 36 ndërsa ekipet e para kalojnë nëpër shtëpitë dhe ndërtesat që u dogjën deri në themel.
"Nuk kemi patur një shembull të humbjes së jetëve në këto përmasa për shumë vite", tha Green në një intervistë për CNN.
"Ndërsa hyjmë në qindra shtëpi që u pushtuan nga zjarri ne kemi shqetësim të madh se do të gjejmë mbetjet e njerëzve që nuk mundën të shpëtonin", tha ai.
Dy mijë udhëtarë u bllokuan në Aeroportin Ndërkombëtar "Maui" për shkak të anulimeve të fluturimeve. Zyrtarët thanë se 4.000 vizitorë dhe banorë të tjerë po strehoheshin në Qendrën e Konventës në Hawaii në Honolulu. Autoritetet u kërkojnë turistëve dhe banorëve që të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme.
"Ne u bëjmë thirrje banorëve të marrin parasysh paralajmërimet e sigurisë nga zyrtarët dhe t'u përmbahen urdhrave të evakuimit dhe udhëzimeve të sigurisë të lëshuara nga autoritetet lokale", thuhet në deklaratën e Rojës Bregdetare.