Një foshnjë 35-ditëshe në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vazhduar sulmet që nga 7 tetori i vitit 2023, ka ngrirë deri në vdekje për shkak të motit të ftohtë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
"Foshnja Yusuf Ahmet Enver Kulub, i cili ishte vetëm 35 ditë, vdiq për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe të ftohtët ekstrem që përfshiu Rripin e Gazës", thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Duke tërhequr vëmendjen në rritjen e numrit të vdekjeve nga të ftohtit ekstrem, në njoftim bëhet e ditur se me këtë rast numri total i të vdekurve u rrit në 8.
Në një deklaratë Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se moti i ftohtë dhe mungesa e strehimit ka shkaktuar vdekjen e të sapolindurve në Gaza e cila ndodhet nën pushtimin e Izraelit.
Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Rripin e Gazës duke vrarë më shumë se 45.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor 2023, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për luftën e tij vdekjeprurëse në enklavë.